2006-07-21 18:47:45

Kisha përgatitet të marrë pjesë në Ditën e lutjes për paqe në Lindjen e Mesme me ftesë të Benediktit XVI. Mirënjohja e popullit libanez.


RealAudioMP3 (21.7.06 RV)Vijon sulmi izraelit mbi të gjithë territorin e Libanit. Bilanci i fundit i viktimave flet për më se 330 të vdekur, numër që rritet nga çasti në çast. Qindra mijëra vetë përpiqen të largohen nga vendi, ndërsa organizatat humanitare janë në kulmin e mobilizimit për t’i çuar sa më shpejt ndihma humanitare popullsive të dëmtuara.
Është kjo situata, në të cilën Kisha përgatietet të marrë pjesë në Ditën e lutjes dhe të pendesës për paqe në Lindjen e Mesme, duke iu përgjigjur kështu ftesës së Benediktit XVI. Nga Vale D’Aosta, ku vijon pushimet, Papa ndjek me vëmendje të jashtzakonshme zhvilllimin e krizës në Lindjen e Mesme dhe lutet për njerëzit që vuajnë, të tronditur rëndë nga ky konflikt i pamëshirshëm. Lutje kërkon edhe nga të gjithë besimtarët, për të nxjerrë nga Zoti hirin e paqes aq të dëshiruar nga popujt e kësaj zone. Prandaj dje i ftoi të gjithë besimtarët t’ia kushtojnë të dielën pikërisht kësaj paqeje, nismë kjo shumë e dëshiruar nga Papa, i cili këto ditë, prej bjeshkëve valdostiane, ua ka drejtuar disa herë fjalën popujve që vuajnë për shkak të luftës, siç nënvizon edhe i dërguari i gazetës “Avvenire” në Lë Kombë, Salvatore Maca, që na flet në telefon nga Lë Kombë:
Përgjigje: - Shumë herë gjatë këtyre pushimeve, Papa ka shprehur shqetësimin e tij, duke bërë ftesë për t’u lutur. Këtë e bëri kur u takua me gazetarët, nësa kthehej nga kuvendi i Shën Bernardit, duke pohuar se ishte plotësisht dakord me komunikatën e G.8 së cilës – nënvizoi Ati i Shenjtë – do t’i shtoja edhe rëndësinë e lutjes. E vendimi për ta ftuar mbarë Kishën në një Ditë lutjeje, besoj se është përmbledhje e të gjithë këtyre çasteve, ndër të cilat, më i forti, ishte ai i lutjes së Engjëllit të Tënzot të dielën e kaluar.
Pyetje: - Kujtojmë se pikërisht pak kohë më parë është publikuar tema e Ditës së ardhshme botërore të Paqes, përqëndruar tek njeriu dhe tek dinjiteti i tij. Pse e zgjodhi Ati i Shenjtë pikërisht këtë temë?
Përgjigje: - Besoj se këtu kemi të bëjmë me një lidhje të dukshme ndërmjet mesazhit të paqes të vitit të kaluar, enciklikës “Deus Caritas est” dhe ripohimit se themeli i paqes është respektimi i njeriut. Nga ana tjetër, ky mund të duket arsyetim i natyrshëm, por duke parë se ç’po ndodh në botë, vërejmë se nuk është ashtu. Prandaj Papa i kujton mbarë njerëzimit se është absolutisht e domosdoshme të rivihet njeriu në qëndër të vëmendjes.
Populli libanez e priti me mirënjohje ftesën e Papës për t’u lutur për paqen. Mbi thirrjen e Atit të Shenjtë për armëpushim flet, në mikrofonin e Radis sonë, ambasadori i Libanit pranë Selisë së Shenjtë, Naxhi Abi Assi:
Përgjigje: - Është një deklaratë jashtzakonisht e rëndësishme. Jemi njerëz që besojmë në Zotin e në mirësinë e tij, e besojmë edhe në solidaritetin njerëzor, i cili mund të bëhet realitet përmes lutjes. E lutja ka rëndësi të madhe për të rizgjuar ndërgjegjet tona. Është e nevojshme të përballohen problemet që dalin, duke mos i parë gjithnjë vetëm në këndvështrimin politik, të zhveshur nga ndjenat, por edhe në këndvështrimin njerëzor e moral. Ne këtë shpresojmë.
Pyetje: - Ç’ kërkon qeveria libaneze nga bashkësia ndërkombëtare?
Përgjigje: - Qeveria libaneze kërkon, në radhë të parë, armëpushimin e menjëhershëm, qoftë edhe humanitar, kërkon të krijojë edhe një korridor humanitar për të ndihmuar popullsinë që po vuan, e sidomos të plagosurit. Fatmirësisht domethënia e këtyre kërkesave nënvizohet në komunikatën e publikuar dje nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, gjë që përkon plotësisht me shqetësimet aktuale të Selisë Apostolike, e ne e vlerësojmë ashtu si duhet.
Mirënjohje ndaj Papës shpreh edhe Kisha në Liban, e cila e ndjen fuqimisht se Atit i Shenjtë është shpirtërisht shumë pranë popullit libanez që po vuan. Ja dëshmia e imzot Bechara Rai, kryeipeshkëv i Maronitëve të Biblos, në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Ne i jemi vërtetë tepër mirënjohës Shenjtërisë së Tij për këtë thirrje, posaçërisht për këtë Ditë pendese e lutjeje. Populli ynë këtu nuk bën tjetër, veçse këtë udhë shpirtërore ndër kisha e shenjtërore.
Pyetje: - Papa uron edhe që të hapen korridore humanitare. Si është situata humanitare në Liban?Përgjigje: - Sipas shifrave që njohim, numri i refugjatëve ka arritur një gjysëm milioni. Tani të gjithë ne, me organizata humanitare e famulli, po përpiqemi pikërisht për t’i ndihmuar këta refugjatë. Natyrisht kemi nevojë për ndihmën e organizatave të tjera ndërkombëtare. Kryeministri ka bërë thirrje për ndihma humanitare. Por për fat të keq këtë çast të gjitha rrugët janë të bllokuara e kuptohet sa vështirë është që këto ndihma të arrijnë aty ku priten.







All the contents on this site are copyrighted ©.