2006-07-21 18:20:05

Duke shfletuar kalendarin, Kisha katolike përkujtoi Shën Lorencin nga Brindizi.


RealAudioMP3 (21.7.06 RV)Në pagëzim u quajt Jul Qesari. Lindi në Brindizi, në familjen fisnike, por tashmë të varfëruar, të Gulielm Russoit e Elizabeta Mazelës. Më 1559 i vdiq i jati, ndërsa e ëma e la vetëm 14 vjeç. Humbja e s’ ëmës i shkaktoi një dhimbje të thellë, të pangushëllueshme. Duke qenë tepër i vogël për jetë të pavarur, për të u kujdes një nga xhaxhallarët, i cili edhe e bëri bir në shpirt. Shkoi, kështu, të banonte në Venedik, ku u njoh me kapuçinët. Studioi në Veronë e në Padovë, më pas në Venedik. Në vitin 1582 Juli u bë fra Lorenci nga Brindizi. Ishte njeri i librave, njohës i thellë i Biblës, të cilën e dinte përmendësh në gjuhën hebraike. Shumë shpejt u bë i njohur edhe si predikatar. E kjo sepse, përveç kulturës së jashtzakonshme, kishte edhe zë të bukur e pamje madhështore. Urdhëri e dërgoi në vendet më të vështira, në Bohemi, për shembull, ku popullata ishte shkëputur nga Kisha. U prit me armiqësi, por nuk hoqi dorë nga misioni i tij pajtues: nisi të predikonte me zjarr, të pajtonte armiqësitë, të udhëhiqte veprën e kapuçinëve. Me që fjala e tij përkonte plotësisht me mënyrën si jetonte, nisën ta respektonin edhe kundërshtarët më autoritarë të cilët, duke e ndjekur kur kremtonte Meshën, panë me sytë e tyre se ai e rijetonte flijimin e Krishtit në Kryq, që përsëritej në elter.
Shumë shpejt u vlerësua nga sivëllezërit aq, sa të zgjidhej në krye të Urdhërit, si gjeneral i të gjithë fretërve, të cilët e mbiquajtën “ngushëllimi i vëllezërve”. Papët e princat evropianë i besuan misione të vështira diplomatike. Për tri vjet Fra Lorenci përfaqësoi Kishën në Bavari. E napoletanët, që nuk mund ta duronin më dukën Osuna, e kërkuan atë si ambasador pranë Filipit të Spanjës.
Më 1619, pikërisht në sa drejtonte bisedimet e suksesshme me Filipin III në dobi të napoletanëve, u takua, papritmas, me “motrën vdekje” e cila e mori me vete në sa mbushte 60 vjeç.
U shpall shenjt nën papninë e Leonit XIII në vitin 1881.Shkrimet e tij mbetën të panjohura deri në botimin e plotë në vitet 1925-1956. E pas këtij botimi, Papa Gjoni XXIII do ta shpallte Shën Lorencin doktor i Kishës, me cilësimin Doktor apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.