Papa kërkon për të dielën e ardhshme, një ditë lutjeje për paqen në Lindjen e Mesme
si dhe armpushimin e menjëhershëm.
(20.7.2006 RV)Benedikti XVI kërkon nga të gjithë besimtarët që e diela e ardhshme
t’i kushtohet lutjes për paqen në Lindjen e Mesme; ndërsa për zonën në konflikt kërkon
ndalimin e menjëhershëm të armëve dhe hapjen e korridoreve humanitare. E diela
e ardhshme të jetë ditë kushtuar lutjes për paqen në Lindjen e Mesme: këtë u kërkon
Benedikti XVI të gjithë besimtarëve në mbarë botën. Njoftimin e dha sot Salla e Shtypit
e Selisë së Shenjtë, përmes një note, në të cilën nënvizohet kërkesa e Papës për hapjen
e menjëhershme të korridoreve humanitare, që të krijohen kështu mundësitë të arrijnë
sa më shpejt ndihmat tek popullsitë e goditura nga konflikti. Ati i Shenjtë ndjek
me shqetësim të thellë fatet e të gjitha popullsive që vuajnë për shkak të konfliktit
në Lindjen e Mesme, prandaj i fton barinjtë dhe besimtarët e të gjitha kishave të
veçanta si dhe të gjithë besimtarët e botës t’i luten Zotit për dhuratën e çmuar të
paqes. Posaçërisht – vijon nota e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - Papa uron
që lutja t’i lartohet Zotit për armëpushimin e menjëhershëm, për hapjen korridoreve
humanitare, për ndihmat e sidomos për rikthimin e të dyja palëve në konflikt, me arsye
e përgjegjësi, në tryezën e bisedimeve. Ati i Shenjtë shpreson se bisedimet do t’i
japin fund situatave objektive të padrejtësisë që ekzistojnë në këtë zonë - siç theksoi
edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar. Në të vërtetë – lexohet
endè në notë – libanezët kanë të drejtë të kërkojnë respektimin e tërësisë tokësore
e të sovranitetit të vendit të tyre, Izraelitët kanë të drejtë të jetojnë në paqe
në shtetin e tyre e palestinezët, të drejtën për të pasur një atdhe të lirë e sovran.
Së fundi – shkruhet në komunikatën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - në këtë
çast të dhimbshëm, Benedikti XVI u bën thirrje të gjitha organizatave bamirëse që
t’i ndihmojnë popullsitë e goditura nga ky konflikt mizor. E edhe një herë Papa
kërkon me forcë të ndiqet me guxim rruga e dialogut për rivendosjen e paqes në Lindjen
e Mesme, duke nënvizuar posaçërisht vlerën e mirëkuptimit ndërmjet feve, për të favorizuar
dialogun ndërmjet popujve. Për mundësitë dhe vlerat e këtij dialogu- të ndjekim
reflektimin e Imzot Vinçenco Palies, ipeshkëv i Terni-Narni- Amelia: Përgjigje:
- Besoj se, posaçërisht në situatën e Lindjes së Mesme, dialogu duhet të jetë
i detyrueshëm, sepse këta popuj – po përdor një fjalë të vështirë – janë të ‘detyruar’
të bashkëjetojnë e bashkëjetesa kërkon impenjim të jashtzakonshëm, posaçërisht në
çastet e vështira që po jetojmë. Është e qartë se duhet të heshtin menjëherë armët
e rruga e vetme për t’i dhënë fund tragjedisë së përdorimit të tyre, është ajo e rifillimit
të dialogut në të gjitha nivelet. Pyetje: - Ç’ndihmesë mund të japë, në
këto rrethana, dialogu ndërmjet feve? Përgjigje: - Në Lindjen e Mesme, roli
i feve bëhet gjithnjë më vendimtar. Sigurisht kemi të bëjmë me një problem politik,
problem që ka të bëjë me dy popuj. Secili prej tyre kërkon drejtësi e të drejtë për
ekzistencë e, prej këndej, burojnë disa detyrime për të gjithë. Por fetë – në këtë
rast tri: hebrenjtë, katolikët e myslimanët, duhet të gjejnë, ndoshta me një impenjim
më të madh, rrugët për t’i rivendosur marrëdhëniet, duke ringjallur shpresat për paqen.
Kujtojmë se besimtarët e të trija feve janë bijt të Abrahamit e prej këndej të gjithë
jemi bijt të të njëjtit Atë.