2006-07-19 17:57:36

Ngushëllimet e Benediktit XVI për viktimat e cunamit në Indonezi


(19.6.2006 RV)Benedikti XVI shpreh ngushëllimet për viktimat e cunamit që goditi të hënën e kaluar ishullin indonezian të Javës, duke shkaktuar – sipas bilancit të fundit - së paku 525 të vdekur. Në një telegram, nënshkruar nga Kardinali Angjelo Sodano, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, drejtuar autoriteteve kishtare e civile të vendit aziatik, Papa thekson dhimbjen për njerëzit e vdekur dhe afërsinë shpirtërore me të gjallët që po vuajnë pasojat e tmerrshme të kësaj fatkeqësie natyrore. Ati i Shenjtë inkurajon të gjithë ata që po japin ndihmesën e tyre për kapërcimin sa më të shpejtë të pasojave, ta vijojnë veprimtarinë e tyre për të lehtësuar sadopak gjendjen e vështirë që është krijuar.
Por si po e jeton popullsia indoneziane këtë provë të re të vështirë? Nga Xhakarta përgjigjet telefonikisht Imzot Novatus Rugambva, këshilltar pranë Nunciaturës apostolike në Indonezi:
Përgjigje: - Me trishtim të thellë, sepse nuk na ka goditur vetëm cunami, por edhe termeti, që ka shkatërruar Javën qëndrore. Kështu, në më pak se dy muaj, na goditi edhe cunami. Jemi plagosur rëndë nga këto fatkeqësi natyrore. Shpresojmë se nuk do të ngjasë ndonjë fatkeqësi edhe më e tmerrshme, sot as në të ardhmen. E kjo edhe sepse nuk jemi të përgatitur si gjetiu. Është folur për një sistem që duhet të japë alarmin para se të ndodhin këto fenomene, por deri tani nuk është bërë ndonjë gjë e madhe. Pastaj thuhej se Java nuk është zonë që rrezikohet nga cunami, por ja që ndodhi.
Pyetje: - Cilat janë nismat e Kishës për t’i ndihmuar të dëmtuarit, pa harruar kurrë lutjen për të gjallë e të vdekur, siç thekson edhe Papa në telegramin e ngushëllimit?
Përgjigje: - Po, Karitasi vendas, i ndihmuar nga Karitaset e kombeve të tjera, si Gjermania, SHBA, Svicra po jep ndihmesën e vet në këto zona. Të gjitha dioqezet, përmes Karitasve të tyre, të mbështetur nga Karitasi Internacional, po bëjnë një punë vërtetë të madhe në emergjencën e tanishme. Pastaj puna duhet të vijojë me rindërtimin mbi gërmadha e mbi plagë.
E ndërsa makina e solidaritetit ndihmon njerëzit e plagosur e të pastrehë, nuk mungojnë polemikat për mungesën e sistemit të sigurimit që do të kishte shpëtuar shumë viktima njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.