2006-07-18 18:21:56

Lindje e Mesme: Kardinali Martino uron paqe dhe afirmim të shtetit të së drejtës në zonë.


(18.7.2006 RV) RealAudioMP3 Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e vetëdijshme për urgjencën e zgjidhjes paqësore të krizës në Lindjen e Mesme dhe për fatin e saj të përbashkët. Kështu shprehet në mikrofonin tonë kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor të ‘Drejtësisë dhe Paqes’.
Papa dhe Selia e Shenjtë ndjekin me vëmendje të madhe zhvillimet e situatës në Lindjen e Mesme. Pas thirrjeve të fuqishme për paqe të Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 29 qershorit dhe të së dielës së kaluar, si dhe të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Sodano, shpreh shqetësimet e tij për konfliktin edhe kryetari i i Këshillit Papnor të ‘Drejtësisë dhe Paqes’, kardinali Renato Rafaele Martino. Ta dëgjojmë Hirësinë e Tij në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Siç nënvizoi Shenjtëria e Tij, Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, 16 korrik, shtrirja e mëtejshme e aksioneve luftarake në Lindjen e Mesme shkakton shumë shqetësime, në mënyrë të posaçme për popullsitë civile. Situata është e ndëlikuar dhe jo e lehtë për t’u shpjeguar, është e tillë që rrezikon paqen e sigurinë jo vetëm në këtë zonë, por në mbarë botën, siç e pohoi të premten e kaluar edhe sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Sodano. Njëkohësisht, në një skenë të tillë, duhen dënuar si aktet terroriste të njërës palë, ashtu edhe raprezaljet ushtarake të palës tjetër, sepse këto akte përbëjnë shkelje të së drejtës dhe të parimeve bazë të drejtësisë.
Pyetje: - Cili duhet të jetë roli i bashkësisë ndërkombëtare në skenën shqetësuese të Lindjes së Mesme?
Përgjigje: - Në këtë skenë, pa asnjë vonesë e para se konflikti të thellohet, duke marrë përmasa edhe më të vështira për t’u frenuar, bashkësia ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara në veçanti, janë të thirrura të promovojnë dialogun dhe paqen ndërmjet palëve kundërshtare dhe afirmimin e shtetit të së drejtës në zonë. Urohet që shtetet të mos bien në tundimin për ta interpretuar në këndvështrim politik ose ideologjik konfliktin në zhvillim, duke krijuar kështu vonesa ose duke e vështirësuar veprimtarinë diplomatike dhe ndihmën humanitare për popullsitë civile.
Pyetje: - Udhëheqësit e G.8 diskutuan për konfliktin në Lindjen e Mesme. Mendoni se e përballuan si duhet këtë problem kaq të mprehtë?
Përgjigje: - Sigurisht; deklarata mbi Lindjen e Mesme e udhëheqësve të G.8 është për t’u përshëndetur; ata deklaruan se janë gati të bashkëpunojnë me Kombet e Bashkuara për vendosjen e paqes në këtë zonë të shqetë e, në mënyrë të veçantë, për vënien në jetë të Rezolutave 1559 e 1680 të Këshillit të Sigurimit lidhur me Libanin, që është njohur si shtet sovran. Pohojnë edhe se janë gati të nxisin rifillimin e dialogut e të bashkëpunimit ndërmjet Izraelit e Palestinës për paqen në Lindjen e Mesme. Sidoqoftë do të ishte e nevojshme të ndiqej një plan veprimi i drejtpeshuar në këndvështrimin juridik e politik, që vë në qëndër të vëmendjes sidomos fatet e popullsisë civile.
Pyetje: - Ç’mendoni për rrezikun fondamentalist në skenën e Lindjes së Mesme?
Përgjigje: - Një element tjetër që duhet pasur parasysh, është pjesëmarrja e grupeve fondamentaliste islamike (e kam fjalën për Hamasin e, në mënyrë të posaçme, për Hezbollahët) në këtë që mund ta quajmë si luftë. Kjo e bën situatën edhe më shqetësuese, po të kemi parasysh se edhe shtetet si Siria ose Irani, mund të marrin pjesë në konflikt, duke e ashpërsuar më tej kundërvënien ideologjike e duke shkaktuar një reagim edhe më të rëndë të Izraelit. Së fundi, nuk duhet harruar edhe rreziku i përdorimit të armëve bërthamore ose të shkatërrimit në masë, që rrezikon të hapë e të shkruajë një faqe tragjike për familjen njerëzore.
Pyetje: - Hirësi, a mund të themi një fjalë që ngjall shpresat?
Përgjigje: - Sot, më shumë se kurrë, duhet rifituar vetëdija e misionit, ose më mirë të themi, e thirrjes së Kombeve të Bashkuara, që kanë lindur për të ‘mbrojtur paqen’…e sigurinë e për këtë qëllim: ‘të marrin masa kolektive efektive për parandalimin dhe kapërcimin e kërcënimeve për paqen (Karta e Kombeve të Bashkuara, neni I). Në botën bashkëkohore asnjë konflikt nuk duhet konsideruar me përmasa lokale, për shkak se mund të ketë gjithnjë pasoja mbi njerëzit, mbi politikën, mbi ekonominë, mbi paqen e sigurinë në mbarë botën. Duhet, prandaj që bashkësia ndërkombëtare të jetë e vetëdijshme për fatin e saj të përbashkët e për urgjencën e gjetjes së rrugëve paqësore për zgjidhjen e krizës, vendosjen e paqes, të shtetit të së drejtës e të ndihmës humanitare për popullsitë e Lindjes së Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.