2006-07-17 17:29:11

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Lë Kombë, Papa kërkon të krijohen mundësi të reja dialogu e mirëkuptimi për krizën e rëndë izraelo-palestineze.


(17.7.2006 RV)Në origjinë të “kundërveprimeve këmbëngulëse” në Lindjen e Mesme janë shkeljet objektive të së drejtës e të drejtësisë, por as aktet terroriste e as raprezaljet nuk mund të përligjen, kur pasojat tragjike të tyre duhet të paguhen nga popullsitë civile. Kështu u shpreh Benedikti XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në lë Kombë, në praninë e 5 mijë besimtarëve e shtegtarëve. Papa kërkoi të krijohen mundësi të reja për dialog e mirëkuptim.
‘Udhëheqësit politikë të rikthehen në rrugën e arsyes e të krijohen mundësi të reja për dialog e mirëkuptim’: këtë uron Papa, i cili në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Lë Kombë, u ndal me shqetësim të thellë tek situata dramatike në Lindjen e Mesme. Me Atin e Shenjtë në zonën valdostiane, ku Papa do të vijojë pushimet deri më 28 korrik, u lutën 5 mijë besimtarë, që u mblodhën në peizazhin e mrekullueshëm, mes blerimit të bjeshkëve.
Përballë shkallëzimit dramatik të dhunës, Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë, kryesisht për shtrirjen e mëtejshme të veprimeve luftarake në Liban e, sidomos, për numrin e madh të viktimave civile. I rrethuar nga natyra e qetë, e freskët, e blertë e bjeshkëve të Vale D’Aostës, Ati i Shenjtë nuk mund ta ndjejë vetën aspak të qetë, kur mendon për kundërveprimet mizore, të cilat Ati i Shenjtë i shpjegon kështu:
“Në origjinë, për fat të keq, janë situatat objektive të shkeljes të së drejtës dhe të drejtësisë. Por as aktet terroriste e as raprezaljet, nuk mund të përligjen, kur kanë pasoja tragjike për popullsitë civile”.
E më pas Papa shqiptoi fjalë që tingëllojnë njëkohësisht si qortim e si thirrje: “Siç na dëshmon përvoja e hidhur, me rrugë të tilla nuk mund të arrihen kurrë rezultate pozitive”.
Pastaj, një urim konkret: të rikthehen udhëheqësit politikë në udhën e arsyes dhe të krijohen mundësi të reja dialogu e mirëkuptimi. Por nuk është thjeshtë urim ky: fjalët e Papës bëhen lutje e thellë drejtuar Zojës së Bekuar, Marisë, Mbretëreshës së paqes, që të nxjerrë nga Zoti hirin e dhuratës së paqes e të harmonisë.
Në këtë perspektivë i ftoj kishat vendase t’i lartojnë Zotit lutje të posaçme për paqen në Tokën Shenjte dhe në të gjithë Lindjen e Mesme”.
Pastaj Ati i Shenjtë kujtoi se dje ishte dita kushtuar Zojës Karmë, e cila nderohet në mënyrë të posaçme në Malin e Tokës Shenjte që, pak kilometra larg nga Libani, sundon mbi qytetin izraelit të Haifës, edhe ai i tronditur rëndë nga sulmet e kohëve të fundit.
Nga ana tjetër, lutja e Engjëllit të Tënzot është lutje mariane e pikërisht për të thënë këtë lutje e për të takuar Atin e Shenjtë, ishte mbledhur mbi livadhin e blertë të Lë Kombë, ajo bashkësi e krishterë – siç e quajti ipeshkvi i vendit, Imzot Anfosi.
Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa theksoi se është shumë i gëzuar që po kalon një periudhë pushimesh në Vale D’Aosta, në të njëjtën shtëpi, që për disa vjet strehoi të shumdashurin Papën Gjon Pali II. Më pas nënvizoi se mahnitet çdo ditë nga panorama malore, që e ndihmon njeriun të rikalitë trupin e shpirtin e se e ndjen veten si në shtëpi të vet. Më pas i përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke nisur nga Imzot Gjuzepe Anfosi e nga kardinali Severino Poleto, për të vijuar me rregulltaret e rregulltarët, priftërinjtë e autoritetet e vendit. Posaçërisht Ati i Shenjtë falënderoi salezianët që i kanë vënë në dispozicion shtëpinë, me livadhin e mrekullueshëm në të cilin kremtoi dje e do ta kremtojë edhe të dielën e ardhshme, lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Një përkim fatlum e quajti Papa kremtimin e festës së Zojës së Karmelit me të dielën XV të kohës gjatë vitit kishtar. Ati i Shenjtë kujtoi se Karmeli, mal që lartohet gjatë bregut lindor të Mesdheut, pikërisht në lartësinë e Galilesë, i ka shpatet plot me shpella natyrore, të cilat u pëlqejnë aq shumë eremitëve. E – nënvizoi Ati i Shenjtë – më i njohuri ndër këta njerëz të Zotit, ka qenë profeti i madh, Elia, i cili në shekullin IX para Krishtit mbrojti pastërtinë e fesë në një Zot të vetëm e të vërtetë nga rreziku i përlyerjes me kultet idhujtare. E më pas Papa kujtoi se pikërisht duke u frymëzuar nga figura e Elisë, në Lindje lindi Urdhëri kundrues i Karmelitanëve, familje rregulltare që numron në radhët e veta shenjtorë të mëdhenj si Tereza e Avilës, Shën Gjoni i Kryqit, Tereza e Krishtit Fëmijë e Tereza Benedikta e Kryqit (në shekull Edit Shtain). Mretëreshës së malit të Karmelit, Papa ia besoi të gjitha bashkësitë e jetës kundruese të përhapura nëpër botë, në mënyrë të posaçme bashkësitë e Urdhërit karmelitan. E për të gjithë, tha lutjen:
Mari ndihmoi të gjithë të krishterët ta takojnë Zotin në heshtimin e uratës”.
Ndërmjet përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë kujtoi në mënyrë të posaçme pjesëmarrësit në kursin e formimit, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane për animatorët e baritorisë familjare. “Ndërsa është ende i gjallë kujtimi i Takimit Botëror të Familjeve që u mbajt pak ditë më parë në Valencia të Spanjës - tha Papa - u jap përsëri zemër familjeve të krishera ta jetojnë fenë e t’ua transmetojnë me gëzim breznive të reja”.
Së fundi - përshëndetja e Papës në ‘patuaz’, dialekt i frëgjishtes që flitet në luginat valdostiane. “Jam i kënaqur që ndodhem rishtas ndërmjet jush” – u tha Papa e më pas iu lut Virgjërës Mari t’i ndihmojë të gjithë besimtarët.
Por për ta ndjerë nga afër atmosferën e jetuar nga besimtarët e pranishëm në Lë Kombë e për të ditur diçka më shumë për ndikimin e fjalëve të Atit të Shenjtë lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, u lidhëm telefonikisht me Salvatore Macën, i dërguar i gazetës italiane “Avvenire”:
Përgjigje: - Ishte sigurisht një ndikim shumë i fortë, edhe për shkak se fjalët e Papës ishin të ashpra. Ati i Shenjtë ripohoi me forcë se aktet terroriste dhe raprezaljet nuk mund të përligjen në asnjë mënyrë e se duke ecur në këtë rrugë nuk mund të arrihen kurrë rezultate pozitive. Sigurisht që këto ditë Benedikti XVI mendon shumë për situatën në Lindjen e Mesme. Për këtë situatë foli edhe dy ditë më parë duke u takuar me gazetarët. E u ka folur për shqetësimet e Tokës Shenjte dhe të të gjithë Lindjes së Mesme edhe rregulltareve karmelitane të Kurtit. Gjatë takimit me motrat kundruese, Ati i Shenjtë u kërkoi të luten për paqen në Lindjen e Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.