2006-07-17 19:32:57

Gjashtë të vdekur nga rrëzimi i helikopterit shqiptar në afërsi të brigjeve italiane. Ndërmjet viktimave Gramoz Pashko dhe i biri Rubeni.


(17.7.2006 RV)Tragjedi në detin Adriatik. Një helikopter i gardës së Republikës së Shqipërisë u rrëzua dje 45 milje larg bregut të Puljes, Itali. Helikopteri, nisur nga Tirana, po transportonte në një spital italian ish-deputetin dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike z. Gramoz Pashko, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Gramoz Pashko, i cili po kalonte pushimet në Himarë bashkë me familjen, u rrëzua pasditen e djeshme nga shkëmbi në breg të detit ku po bënte banjo dielli dhe menjëherë hyri në komë. Pas transportimit në Tiranë dhe ndihmës së shpejtë në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, pacienti, i shoqëruar nga një ekip mjekësh shqiptarë të specializuar, si edhe nga i biri Rubeni, u dërgua urgjent për mjekime në Itali. Gjatë rrugës, për shkak të motit të keq, helikopteri u rrëzua në ujrat italiane. Hëpërhë është lokalizuar vendi ku ka rënë helikopteri, por nuk ka qenë e mundur nxjerrja e gjashtë trupave të pajetë pasi dallgët kanë qenë shumë të larta.







All the contents on this site are copyrighted ©.