2006-07-14 19:11:54

Vendet e G 8-ës të angazhohen për përfshirjen e jugut të botës në tregtinë ndërkombëtare: thirrje e Këshillit Papnor “Drejtësi dhe Paqe”.


(14.7.2006 R.V.) “Fuqitë e mëdha të Grupit të 8-shes që do të mblidhen në Shën Pjetërburg duke filluar nga dita e nesërme deri të hënën, duhet të angazhohen që të gjitha shtetet të marrin pjesë aktivisht në negociatat mbi tregtinë.” Kjo është thirrja që Këshilli Papnor “Drejtësi e paqë” u drejton vendeve më të industrializuara. Dokumenti që është nënshkruar nga kryetari i këtij këshilli, kardinali Raffaele Martino dhe sekretari Imzot Giampaolo Crepaldi thekson me të madhe mungesën e një vizioni të qartë për drejtësinë dhe barazinë, gjë që vihej në dukje qysh në kohën e Palit VI, te “Populorum Progresio”. Thirrja e Këshillit Papnor “Drejtësi dhe Paqë” përfundon me fjalët se Kisha Katolike “edhe në shkëmbimet tregtare mbështet një sistem shumëpalësh.”


Thirrje për ndryshim të vijës së politikës ekonomike Grupit të 8-es i kanë bërë edhe udhëheqësit fetarë të afro 49 vendeve, ndërmjet të cilave edhe Selia e Shenjtë, të cilët u mblodhën në Moskë para pak ditësh. “Të ruajmë paqën” — lexohet në letrën që përfaqësuesit fetarë, të krishterë, myslimanë, hinduistë, hebre, budistë e shintoistë, i drejtuan vendeve pjesëmarrëse në G-8 e Shën Pjetërburgut. Në këtë rezolutë përfaqësuesve të vendeve më të industrializuara të botës u tërhiqet gjithashtu vëmendja se feja nuk mund të përdoret “për përçarje dhe konflikte” dhe se ajo është mjet dialogu ndërmjet qytetërimeve të ndryshme. Po ashtu G 8 i kërkohet me forcë që të mbrohet jeta e njeriut që nga të zënit deri në vdekje e që “qenia njerëzore të mos kthehet as në mall e as në objekt manipulimesh politike.”







All the contents on this site are copyrighted ©.