“Njeriu është zemra e paqes”- e kjo është edhe tema e zgjedhur nga Benedikti XVI për
Ditën e 40-të Botërore të Paqes që, sipas traditës, do të kremtohet më 1 janar 2007.
(13.7.2006 RV)Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Vatikanit, duke shpjeguar edhe
arsyet e zgjedhjes së kësaj teme. Benedikti XVI shpreh bindjen se respekti për
dinjitetin e njeriut është kusht themelor për paqen në gjirin e familjes njerëzore.
Dinjiteti njerëzor – lexohet në notën e Sallës së Shtypit, është vula me të cilën
vetë Zoti e vulosi njeriun, krijuar sipas shembëlltyrës së tij, është shenja e fatit
të njerëzimit, themeli i dashurisë për Zotin e për të afërmin. Vetëm me vetëdijen
e dinjitetit të mbinatyrshëm të çdo burri e të çdo gruaje – vijon komunikata – familja
njerëzore është në shtegun që çon drejt paqes dhe bashkimit me Hyjin. Prandaj mund
të themi se paqja është në rrezik, kur nuk respektohet dinjiteti njerëzor dhe kur
bashkëjetesa shoqërore nuk kërkon të mirën e përbashkët. Sot - vijon komunikata
e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë– ndoshta përmes forcës bindëse dhe mjeteve
më efikase sesa në të kaluarën, dinjiteti njerëzor kërcënohet nga ideologji të rrezikshme,
sulmohet nga përdorimi i shtrembër i shkencës dhe i teknikës, kundërshtohet nga stile
të përhapura jete, që nuk pajtohen me të. Në të vërtetë ideologjitë që kanë vulën
e nihilizmit ose të fanatizmit (materialist a fetar) pretendojnë t’i mohojnë të vërtetat
mbi realitetin, mbi njeriun e mbi Zotin, ose t’i imponojnë ato që, sipas tyre, quhen
të vërteta. Nga ana tjetër – nëvizon nota – shkenca dhe teknika (e posaçërisht bio-mjekësia)
shpesh herë, në vend që t’i shërbejnë të mirës së përgjithshme të njerëzimit, përdoren
si mjete për të mbështetur një vizion egoistik të progresit e të mirëqenies. Së fundi
pohohet se propaganda dhe pranimi në rritje i stileve të jetës së parregullt e në
kundërshtim me dinjitetin e njeriut, vijojnë t’i ligështojnë zemrat e mendjet e njerëzve
deri në atë shkallë, sa të shlyejnë fare dëshirën për një bashkëjetesë të rregullt
e paqësore. Kisha – vijon komunikata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë,
ka mision të kumtojë Ungjillin e jetës, vënien e njeriut në qendër të gjithësisë dhe
dashurinë e Zotit për njerëzimin. Prandaj sfidave të kohëve tona, Kisha u përgjigjet
me një antropologji të krishterë, të themeluar mbi tri shtylla: atë të dinjitetit,
të bashkëjetesës shoqërore dhe të veprimtarisë së njeriut, në një botë që duhet të
orientohet sipas rendit të vulosur nga Hyji në gjithësi. Çdo fyerje e njeriut, është
kërcënim për paqen – përfundon nota - e çdo kërcënim që i bëhet paqes, është fyerje
e së vërtetës mbi njeriun e mbi Zotin, sepse “Njeriu është zemra e paqes”.