2006-07-13 17:43:00

Duke shfletuar kalendarin e 13 korrikut, Kisha katolike përkujtoi Shën Esdren.


(13.7.2006 RV)Shën Esdra njihet si autor i Librave të 15-të e të 16-të të Biblës, ndonëse libri i 16-të quhet i Nehemisë. Të shkruar me të njëjtin stil, të krijojnë idenë se janë fryt i së njëjtës penë. Dy librat janë vijim i Librit të Kronikave, ndoshta të të njëjtit autor, shkruar në shekullin III para Krishtit.
Esdra, prej fisi priftërinjsh, siç e dëshmon gjenalogjia e gjatë që paraqet në libër, ishte skribë apo shkrues, specialist në ligjin e Moisiut.
Duhet sqaruar se roli i skribëve ka pasur një rëndësi jashtzakonisht të madhe në historinë e Izraelit: kryenin punën e sekretarit në administratën mbretërore e, posaçërisht pas shpërnguljes, u specializuan në shkrimin dhe shpjegimin e Ligjit mozaik, duke u bërë komentues zyrtarë të tij.
Në Librin e Kronikave, që i paraprin Librit të Esdrës, populli i zgjedhur vuan në mërgim, i shpërngulur me dhunë në mbretërinë e Babilonisë, ndonëse nuk e ka humbur shpresën për një të ardhme të lumtur, veçanërisht pas shpalljes së dekretit të Kirit, mbretit të Persisë, për riatdhesim.
Për ta përcjellur hap pas hapi këtë riatdhesim dhe formimin e judaizmit, Esdra na la dy libra: atë që mban emrin e shenjtit dhe atë të Nehemisë. Të dy librat në fillim përbënin një libër të vetëm, që njihej si Libri i Esdrës. Më pas, e pikërisht në kohën e krishterimit, u nda në dy pjesë, ndërsa titujt ‘i Esdrës’ dhe i ‘Nehemisë’ nisin të përdoren vetëm në vitin 1448, në Biblën hebraike të Bombergut.
Libri flet për riatdhesimin e izraelitëve që ishin shpërngulur me dhunë në mbretërinë e Babilonisë, për rikthimin në trojet e të parëve, për formimin e judaizmit si kombësi dhe ripërtritjen fetare e kombëtare.
Nis me arritjen e karvaneve të para të të riatdhesuarve në Jeruzalem nën drejtimin e Sabasarit dhe me ndërtimin e Tempullit.
Vijon me ardhjen e dytë të riatdhesuarve në vitin e shtatë të Artakserksit, nën drejtimin e Esdrës, prift e skribë, që reformon besimin dhe kultin hyjnor, duke dënuar ashpër martesat e përziera.
Kujdesi kryesor i Esdrës përqëndrohet në përtritjen e bashkësisë së besimtarëve judenj dhe të Tempullit të Jeruzalemit, gjithnjë mbi bazën e Ligjit të Moisiut.
Duke medituar ç’e gjeti popullin e zgjedhur për shkak se harroi Zotin, Hyjin e etërve të vet dhe në ç’mjerin e çoi kjo harresë, Esdra bën çmos t’i rikthejë bashkatdhetarët tek Ati i gjithëpushtetshëm.
Izraeli i varfër, mëkatar, i rrahur e i përplasur nga dallgët e mërgimit, i skllavëruar, i mposhtur, i poshtëruar kombëtarisht, shtetërisht, moralisht e fetarisht, e shikon si veniten ëndrrat e lumnisë së dikurshme. Por megjithatë vijon të ndjejë thirrjen për ripërtritje shpirtërore, që do t’ia kthente nderin si popull i zgjedhur. E risimi shpirtëror dhe shoqëror mund të arrihet edhe sot përmes respektimit të ligjit të Moisiut, sidomos të Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot, përkryer më tej nga ligji i dashurisë së Krishtit, bazë e çdo përtëritjeje për të gjitha vendet e për të gjitha kohërat.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.