2006-07-12 18:25:36

“Familja duhet ndihmuar për të mirën e mbarë njerëzimit":thirrja e Benediktit XVI nga Takimi V Botëror i Familjeve në Valencia Spanjë.


RealAudioMP3 (9.7.06 RV)Sot paradite Benedikti XVI përfshiu në një “përqafim të madh paqeje” familjet e mbarë botës, të pranishme në Valencia dhe të lidhura drejtpërdrejtë, përmes mjeteve të komunikimit shoqëror, nga të katër anët e botës, për të ndjekur Meshën Shenjte, të kryesuar nga Papa në përfundim të Takimit V Botëror të Familjeve. Ishte një ngjarje vërtetë e rëndësishme, e jo vetëm për Kishën katolike, por për mbarë njerëzimin, që është i thirrur t’i mbrojë e t’ua lërë trashëgim pasardhësve vlerat e familjes “trashëgimi e nevojshme për të gjithë popujt e themel i domosdoshëm për shoqërinë - siç nënvizoi Ati i Shenjtë gjatë natës së lutjes, kremtuar mbrëmë në Qytetin e Arteve dhe të Shkencave, ku morën pjesë rreth një milion vetë.
“Të ndihmosh familjen – ripohoi Benedikti XVI- është një nga shërbimet më të rëndësishme që mund të bëhen për të mirën e njerëzve e të shoqërisë. Më pas, në lutjen e Engjëllit të Tënzot dha një njoftim të rëndësishëm: do të mbahet në Qytetin e Meksikos më 2009 takimi VI Botëror i Familjeve.
Por, t’ia japim fjalën të dërguarit tonë në Valencia, Giancarlo La Vellës, për kronikën e shtegtimit të tretë ndërkombëtar të Benediktit XVI, i pari në tokën spanjolle, që përfundoi pak orë më parë.
“Një mesazh shprese, të cilin dua t’ua kumtoj të gjitha familjeve të botës nga Valencia”. Me këto fjalë e përfundoi Benedikti XVI Takimin V Botëror të Familjeve në Spanjë, duke i ftuar të gjithë në takim pas tri vjetësh në Qytetin e Meksikos, për të vijuar ecjen në rrugën e fesë, nisur nga Gjon Pali II më 1994.
Në Meshën Shenjte, kryesuar në Qytetin e Arteve dhe të Shkencave përballë 500 mijë besimtarëve, ashtu si edhe natën e së shtunës, Benedikti XVI, i cili – siç pati bërë paraardhësi i Tij – përdori Kelkun shenjt që ruhet në katedrale, po atë kelk që, sipas traditës, e pati përdorur vetë Krishti në themelimin e Eukaristisë në Darkën e Mbrame, përmblodhi një jave shumë të ngarkuar me veprimtari. Kjo javë nisi me Kongresin teologjiko-baritor me temë “Transmetimi i fesë në familje”, gjatë punimeve të të cilit dialoguan familjet e mbarë botës. Në praninë e shtatores së Virgjërës të të Braktisurve, që nderohet në Valencia, gjatë homelisë Papa vuri përsëri me forcë në dukje se familja e themeluar mbi martesën e pazgjidhshme ndërmjet burrit e gruas është ambienti ideal në të cilin mund të rritet dhe të zhvillohet plotësisht njeriu. E prindërit kanë të drejtë dhe detyrë t’ua japin fëmijëve dhuratën e jetës dhe trashëgiminë e përvojës, duke i udhëhequr në jetën shoqërore në dritën e dashurisë reciproke dhe të takimit me Hyjin. Kështu në familje realizohet vazhdimësia e domosdoshme e fesë dhe e dashurisë, që garanton kalimin e traditave të çdo bashkësie nga breznia në brezni
EN EL ORIGEN DE TODO HOMBRE Y, PORT TANTO, EN TODA PATERNIDAD
“Në zanafillën e çdo njeriu e të çdo atësie dhe amësie njerëzore, është i pranishëm Hyji Krijues. Bashkëshortët duhet ta pranojnë foshnjën që lind jo vetëm si birin e tyre, por edhe si birin e Zotit që e do ashtu si është – kujtoi Papa- Çdo akt krijues, çdo atësi e amësi dhe çdo familje e ka zanafillën në Hyjin që është Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë”.
Prindërit e krishterë – vijoi Benedikti XVI – janë të thirrur të japin dëshmi të besueshme të fesë e të shpresës së tyre, në mënyrë që thirrja e Zotit e Lajmi i mirë i Krishtit të transmetohen tek fëmijët me qartësi e vertetësi të madhe, përmes mësimit të lutjes së përbashkët e afrimit tek sakramentet, duke u prirë në jetën e Kishës. E familja është edhe vendi i lirisë së vërtetë dhe i ndihmës reciproke. Duke kujtuar mësimet e Koncilit II të Vatikanit, Benedikti XVI pohoi se bashkëshortët dhe prindërit e krishterë duhet ta mbështesin me dashuri njeri-tjetrin për gjithë jetën dhe t’u transmetojnë bijve që u ka falë Zoti, mësimet e doktrinës së krishterë dhe virtytet ungjillore. Për të përparuar në rrugën e pjekurisë njerëzore – vijoi Benedikti XVI – Kisha na mëson ta respektojmë e ta promovojmë realitetin e mrekullueshëm të martesës së pazgjidhshme ndërmjet burrit e gruas, që është edhe zanafillë e familjes. E pastaj shtoi:
POR ESO, RECONOCER Y AYUDAR A ESTA INSTITUCION ES UNO DE LOS...
“Prandaj ta njohësh e ta ndihmosh këtë institucion është një nga shërbimet më të rëndësishme që mund të bëhen sot për të mirën e shoqërisë, ashtu siç është garancia më e mirë për të siguruar dinjitetin, barazinë dhe lirinë e vërtetë të njeriut”.
Në natën e lutjes, 12 orë para Meshës, Papa e quajti familjen Kishë shtëpiake, shenjtërore e jetës, bashkim i bazuar mbi martesën, përvojë e dashurisë dhe e përgjegjësisë për prindërit e fëmijët, pasuri e nevojshme për popujt dhe themel i domosdoshëm për shoqërinë. Njeriu – tha Benedikti XVI – realizohet plotësisht vetëm kur ia dhuron sinqerisht vetveten të tjerëve dhe familja përfaqëson pikërisht mjedisin e përshtatshëm ku çdo njeri mëson të dojë e të duhet.
(Muzikë)
Nata e ngrohtë valenciane, e ndriçuar nga Kryqi 35 metra i lartë pranë elterit, që rrezatonte dritë, u gjallërua nga entuziazmi, duartrokitjet, këngët, dëshmitë, lutjet, përshëndetja që i drejtoi Papës kardinali Lopez Truhiljo, Kryetar i Këshillit Papnor për Familjen, i cili kryesoi ngjarjen e madhe. Atmosferë vërtetë entuziaste u krijua kur Papa kujtoi fjalët e Gjon Palit II : “Njeriu është shëmbëlltyrë e Zotit shumë më tepër në çastin e bashkimit, sesa në vetmi” për të shtuar pastaj:
LA FAMILIA ES UNA INSTITUCION INTERMEDIA ENTRE EL INDIVIDUO
“Familja është institucion ndërmjetës i individit dhe shoqërisë e asgjë nuk mund ta zëvendësojë plotësisht. Ajo themelohet mbi marrëdhëniet e thella ndërpersonale ndërmjet burrit e gruas dhe mbështetet në dashurinë dhe mirëkuptimin e anasjelltë. Sakramenti i martesës – tha Papa – kërkon një thirrje të vërtetë për shenjtëri. Dashuria ndërmjet babait dhe nënës u jep fëmijëve siguri të madhe dhe u mëson bukurinë e besnikërisë së përhershme”.
Por në shoqërinë aktuale familjet nuk mund të lihen vetëm përballë vështirësive, sidomos atje ku ndjehet nevoja e nxitjes shpirtërore për të fuqizuar bashkimin e bërthamës familjare. Është themelore, prandaj, puna e famullisë dhe e shoqatave kishtare. Por njëkohësisht, edhe e politikave shoqërore në favor të familjes:
INVITO, PUES, A LOS GOBERNANTES Y LEGISLADORES A REFEXIONAR...
“I ftoj, prandaj, qeveritarët edhe ligjvënësit të reflektojnë për të mirën që i sigurojnë njeriut, familjes dhe shoqërisë, vatrat të cilat janë në paqe e në harmoni. Objekt i ligjeve është e mira e plotë e njeriut, përgjigja që u jepet nevojave të tij e dëshirave të tij. Prandaj mund të themi se familja është një ndihmë që i jepet shoqërisë, e cila nuk mund të bëjë pa të”
Në përfundim Papa kujtoi me mirënjohje gjyshërit, që japin e marrin me nipërit atë dashuri për të cilën ka nevojë çdo qenie njerëzore. Për asnjë arsye – theksoi Ati i Shenjtë - ata nuk duhet të përjashtohen nga mjedisi familjar, sepse janë një thesar i vërtetë që nuk mund t’ua rrëmbejmë breznive të reja, sidomos kur japin dëshmi feje në sa i afrohen çastit të vdekjes.
Përqafimin e fundit të përzemërt Papa ua dha besimtarëve në aeroportin e Valencies, para se të nisej. Duke përshëndetur autoritetet civile dhe fetare, Benedikti XVI uroi që jehona e këtij takimi të vijojë ndër familjet si një këngë gazmore dashurie, jete e feje, duke e ndihmuar botën e sotme të kuptojë se lidhja martesore e përhershme ndërmjet burrit e gruas, është pasuri e madhe për mbarë njerëzimin. Kështu para familjeve u hap një rrugë e re, në të cilën duhet ecur me guxim, vetëdije e impenjim. Përqafimi i ardhshëm me Papën - në vitin 2009, në tokën meksikane.
Benedikti XVI tashmë është kthyer në Vatikan. Avioni i Papës preku tokën italiane në aeroportin e Ciampinos rreth orës 14. 55. Për ta pritur Atin e Shenjtë, në emër të qeverisë italiane, kishte dalë ministri i arsimit, Gjuzepe Fioroni.
Pas 48 orësh Benedikti XVI do të niset sërisht për udhë. Pasnesër pritet në Valle d’Aosta, ku do të kalojë një periudhë pushimesh. Papa do të banojë në të njëjtën shtëpi të Le Kombë, ku Gjon Pali II ka kaluar dhjetë herë pushimet verore.
Më pas, e pikërisht më 28 korrik, Papa do të shkojë në selinë verore të Kastel Gandolfos.Audiencat e përgjithme do të rifillojnë rregullisht më 2 gushtin e ardhshëm, ndërsa gjatë gjithë periudhës verore, do të ndërpriten të gjitha audiencat private e të jashtëzakonshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.