2006-07-12 18:01:14

U publikua sot bilanci këshillimor përmbledhës 2005 i Selisë së Shenjtë dhe i Qytet-Shtetit të Vatikanit.


(12.7.06 RV)Llogaritë e vitit 2005 janë aktive. Pas mbledhjes së Këshillit të Kardinajve për studimin e problemeve organizative dhe ekonomike të Selisë së Shenjtë, zhvilluar në Vatikan më 4 korrikun e kaluar, sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqit Bilanci përfundimtar për vitin 2005.
Konferenca e shtypit, e para me drejtorin e ri të Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardin, drejtor edhe i Radio Vatikanit si dhe i Qendrës Televizive vatikanase, u hap me njoftimin se bilanci përmbledhës i Selisë së Shenjtë për vitin 2005 është mbyllur me rezultatin pozitiv prej 9, 7 milion euro, shifër tri herë më e lartë se ajo e vitit 2004. Është vlera më domethënëse e arritur gjatë 8 vjetëve të fundit. Sektorët kryesorë, si ai i veprimtarisë financiare e imobiliare, kanë arritur rezultate pozitive. Ndërsa në sektorë si ai i Radio Vatikanit, i Tipografisë së Vatikanit, i Qendrës Televizive të Vatikanit dhe Shtëpisë Botuese, është krijuar një defiçit prej 11, 8 milion eurosh. Edhe këtë vit gjysmën e shpenzimeve të Radio Vatikanit e mbuloi Governatorati.
Oboli i Shën Pjetrit, dmth shuma e përgjithshme e lëmoshëve të caktuara për të ndihmuar Papën në misionin e tij apostolik bamirës, gjatë vitit 2005 ka arritur në shifrën 59 milion dollarë me një rritje pothuajse 15% në krahasim me vitin 2004. Përsa i përket Radios, sekretari i Prefekturës për çështjet ekonomike të Selisë së Shenjtë, imzot Franko Kroçi, shpjegoi se emitentja papnore po vë në jetë një plan dhjetvjeçar për pakësimin e personelit. Brënda vitit 2013 personeli do të kalojë nga 395 punonjës në 335. Zgjodhëm këtë afat – shpjegoi Atë Lombardi - për të mos ndikuar negativisht mbi personelin. Nuk janë parashikuar, prandaj, as shkurtime e as dalje në pension para afatit.
Por ç’do të thotë bilanc këshillimor përmbledhës? Përgjigjen ia kërkuam kardinalit Sergio Sebastiani, kryetar i Prefekturës për çështjet ekonomike të Selisë së Shenjtë.Përgjigje: - Bilanc përmbledhës është ai që bëhet duke bashkuar në një, bilancet e ndryshme të Selisë së Shenjtë. Selia e Shenjtë ka veprimtari, pikësynime e kongregacione të ndryshme, disa nga të cilat janë edhe të pavarura në këndvështrimin administrativ, dmth, nuk kryesohen nga APSA (Administrata e Pasurisë së Selisë Apostolike). Prandaj ne marrim të gjitha bilancet që janë bërë e pastaj realizojmë përmbledhjen e bilanceve të administratave të ndryshme. Është pra bilanç përmbledhës e jo preventiv. Nuk është preventiv, sepse nuk e dimë akoma cilat do të jenë shpenzimet. Ndërsa bilanci përmbledhës tregon gjendjen aktuale.







All the contents on this site are copyrighted ©.