2006-07-12 20:02:49

Lajme shoqërore-politike: 12 korrik


(12.7.2006 R.V.) Në mëngjesin e sotëm trupa hezbollah nga Libani sulmuan në mënyrë të befasishme kufirin izraelit duke vrarë shtatë ushtarë dhe duke marrë rob dy të tjerë. Kryeministri Olmert tha se bëhet fjalë për luftë dhe jo akt terrorist dhe se përgjigja e ushtrisë izraelite do të jetë tepër e rëndë. Olmert fajësoi qeverinë libaneze për këtë sulm pasi në përbërje të saj ka edhe një ministër hezbollah. Mësohet gjithashtu se tanket izraelite, të mbështetura nga ajri, kaluan kufirin libanez në kërkim të dy ushtarëve të rrëmbyer.


Por gjithashtu beteja e Tel-Avivit vijon edhe në frontin palestinez në jug. Natën e kaluar dhe sot paradite ushtria izraelite kreu sulme ajrore si pasojë e të cilave u vranë 12 palestinezë. Me të vrarët e sotëm numri i viktimave që nga fillimi i intifadës së dytë në 2000, arriti në 5.020.


Përsëri gjakderdhje në Irak. Forcat e sigurisë zbuluan 22 kufoma në një zonë sanite, 110 km në veri të Bagdadit. Po në të njëjtën zonë sot u rrëmbyen afro 60-80 shiitë. Po sot paradite një kamikaze u hodh në erë në një restorant në Bagdad. Ndërsa kryeministri Al Maliki tha se forcat e rendit prishën planet e terroristëve për të marrë me luftë disa zona në perëndim të kryeqytetit.


“Të gjithë të burgosurit që gjenden në duart e ushtrisë amerikanë në të gjithë botën kanë të drejtë të gëzojnë të tëra garancitë e Konventës së Gjenevës.” Ky është memorandumi që miratoi sot Pentagoni. Kryesisht këtu bëhet fjalë për të burgosurit që gjenden në bazën amerikane të Guantanamos në Kubë.


Një ditë pas takimit në Bruksel ndërmjet negociatorit iranian Ali Larixhani dhe përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-ian Havier Solana për çështjen bërthamore, Moska pohoi se gjithçka “është ende e mundur” ndërmjet Teheranit dhe gjashtë fuqive, që po kërkojnë një marrëveshje për pasurimin e uraniumit.


Ndërkaq sekretarja e shtetit Condoleezza Rice pohoi se refuzimi i Iranit i ofertës ndërkombëtare për të negociuar për programin bërthamor, do t’i shtrëngojë fuqitë e mëdha ta shtrojnë këtë problem për zgjidhje para Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.














All the contents on this site are copyrighted ©.