Me 11 korrik, Kisha katolike kremton festën e Shën Benediktit Abat, Pajtor i Evropës
(11.7.06 RV)"Që për njerëzit
e sotëm … të jetë i pacënueshëm e i shenjtë ideali i bashkimit shpirtëror të Evropës
e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli për ta realizuar në praktikë, e shpallem
Shën Benediktin - Pajtor të Evropës". Me këto fjalë Papa Pali VI, më 24 tetor
1964, nga Montekasino, ku kishte shkruar për të shuguruar rishtas manastirin e shkatërruar
prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht në vendin ku Shën Benedikti kishte
kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar në të gjithë Kontinentin mesazhin e
tij të përshpirtërisë e të fesë, dha këtë njoftim për shpalljen e Abatit shenjt të
shekullit VI, themeluesit të monakizmit përendimor, si Pajtor qiellor i Evropës. Ndonëse
dita e lindjes së Shenjtit për qiell është 21 marsi, Festa e Pajtorit të Evropës kremtohet
sot, sepsè marsi përkon me krezhëmt. Gjithsesi murgjërit benediktinë ia kremtojnë
të dyja datat: atë të vdekjes dhe atë të Shpalljes Pajtor i Evropës. Në letrën
apostolike "Pacis Nuntius" të datës 24 tetor 1964, Papa Pali VI shpjegonte edhe arsyet
e kësaj shpalljeje, kërkuar me ngulm nga hierarkia dhe nga mbarë populli i Zotit,
pasi edhe Piu XII e pati kujtuar Shën Benediktin si "Babai i Evropës" dhe vetë Gjoni
XXIII e pati dëshiruar me gjithë zemër këtë ditë. Ja ç'shkruhet në Letrën e Papës
Montini: "Ndërsa shembej Perandoria Otomane e disa zona të Evropës dukej sikur
kridheshin në errësirë, ndërsa të tjerat jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore,
ai, me impenjimin e tij të palodhshëm, bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë
agimi i një epoke të re. Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët
që çuan progresin e krishterë ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi;
nga Irlanda e deri në rrafshinat e Polonisë. Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit,
siguruan qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e rendit të jetës publike e private… duke çimentuar
atë unitet shpirtëror evropian, me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme,
ndjenë se po formonin një popull të vetëm. Popullin e Zotit. Me libër, pastaj,
domethënë me kulturë, vetë Shën Benedikti, nga e i cili shumë manastire morën emër
e forcë, shpëtoi me guxim providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike rrezikonte
të zhdukej, traditën klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur breznive
të ardhshme, kultin e diturisë. Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin
e arave e nisma të tjera me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia
doli mbanesh t'i shndërronte tokat djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara;
e duke bashkuar lutjen me punën materiale, sipas motos së tij të famshme "ora et labora"
- "lutu e puno!" fisnikëroi e lartoi djersën që rrjedh nga balli i ndershëm. Më
27 prillin e vitit 2005, në audiencën e parë të përgjithshme të papnisë së Tij, duke
i ftuar besimtarët ta ndjekin e ta mbështesin me lutje, Papa Benedikti XVI shpjegoi
pse e zgjodhi emrin që mban tashti: “Desha të quhesha Benedikti XVI për t’u lidhur
përsëri shpirtërisht me të nderuarin Papën Benedikti XV, i cili e udhëhoqi Kishën
në një periudhë të trazuar për shkak të konfliktit të parë botëror. Por gati
njëmijë vjet më parë, një tjetër Benedikt ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinetit
të Vjetër: Benedikti nga Norçia, qytezë në Umbria të Italisë, që përfaqësohej sot
në Sheshin e Shën Pjetrit nga një grup i madh shtegtarësh. Me urdhërin e tij murgar
– kujtoi Papa, “Patriarku i monakizmit përendimor”, më pas bashkëpajtor i Evropës,
me Çirilin e Metodin, ushtroi një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit
në të gjithë Kontinentin. Prandaj – vijoi Ati i Shenjtë- Shën Benedikti është tepër
i nderuar në Gjermani e posaçërisht në Bavari, në tokën ku kam lindur: “Shenjti
përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht
se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit
të saj”. Prandaj në fillim të shërbimit tim si pasardhës i Shën Pjetrit, i lutem
Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qëndërsinë e Krishtit në jetën
tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë tona”- kështu
u shpreh Papa Benedikti XVI. Mbetet tepër aktual Shën Benedikti. Si dikur me dritën
qytetërimit të krishterë ia mërrijti t'i davaritë retë e zeza e të rrezatojë dhuratën
e paqes, kështu edhe sot ai i prin jetës evropiane, duke ndërmjetësuar që Evropa të
zhvillohet, të rritet e të përfshijë ndër kufijtë e vet të gjithë popujt që i pëkasin
e që dëshirojnë të jetojnë sipas motos "ora et labora" - me Kryq, me pendë e parmendë!