2006-07-11 18:57:35

Lajme shoqërore-politike: 11 korrik


(11.7.2006 R.V.)RealAudioMP3 Të paktën shtatë shpërthime të fuqishme goditën rrjetin hekurudhor të punëtorëve udhëtues në Bombej të Indisë. Deri tani thuhet se ka rreth 70 të vrarë dhe 300 të plagosur. Shpërthimet ndodhën në stacionet Matunga, Santa Cruz, Mahim dhe Har në orën e trafikut më të dendur, kur punëtorët udhëtues kthehen në shtëpi.


Oborret islamike shtrënguan të dorëzohej udhëheqësin e fundit të luftës në Mogadisho, duke marrë kështu kontrollin e plotë të kryeqytetit të Somalisë. Pas një beteje që zgjati dy ditë dhe u kushtoi jetën 67 personave, dje besnikët e udhëheqësit të moshuar ua dorëzuan armët militantëve islamikë.


Organizata terroriste Al Kaeda përhapi në internet një video rrënqethëse, që fillon me Bin Ladenin por që pastaj tregon trupat e sakatuar të dy ushtarëve amerikanë. Ushtarët u vranë për hakmarrje për vrasjen e një vajze dhe tre anëtarëve të familjes së saj nga ana e amerikanëve.


Më shumë se 30 mijë vetë, ndërmjet të cilëve edhe prokurorja e përgjithshme e Hagës Carla del Ponte, morën pjesë sot në ceremoninë përkujtimore me rastin e 11 vjetorit të masakrës së Srebrenicës, në Bosnje. Me 11 korrik 1995 ushtarët serbë vranë 8 mijë myslimanë, ndërsa helmetat e kaltra hollandeze nuk qenë në gjendje t’i mbrojnë viktimat.


Presidenti iranian u vërsul edhe njëherë kundër izraelitëve duke pohuar se “vrulli” i myslimanëve sa vjen e rritet dhe se “shpejt do të shpërthejë”. “Valët e këtij shpërthimi do të godasin edhe mbështetësit e Izraelit.” - shtoi presidenti Ahmadinexhad.


Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan u bëri thirrje sot izraelitëve të mos e teprojnë me përdorimin e dhunës, ndërsa palestinezëve u kërkoi që të lirojnë rreshterin Xhilad Shalit dhe të mos hedhin më raketa kasam kundër hebrejve. Anan tha se është e nevojshme që të dyja palët të bëjnë një hap prapa për sigurinë e civilëve.


Sot në Afganistan të paktën 30 rebelë talebanë u vranë në një operacion të forcave aleate në jug të vendit. Gjithashtu sekretari i mbrojtjes amerikane Donald Rumsfeld vizitoi sot në mënyrë të befasishme Kabulin. Në takimin me presidentin Karzai u bisedua për shkallëzimin e dhunës dhe marrjen e operacioneve në jug nën kontrollin e NATO-s.







All the contents on this site are copyrighted ©.