2006-07-09 16:53:16

Kryeipeshkëvija Tiranës-Durrës në Shqipëri ka ipeshkëvin e ri ndihmës imzot Gjergj Frendon, misionar domenikan në Durrës.Gëzimi i imzot Rrok Mirditës.


RealAudioMP3 (9.7.06RV).Ati i Shenjtë Benedikti XVI të premten e kaluar emëroi Ipeshkëv-Ndihmës të Tiranë-Durrësit, Atë Gjergj Frendon, misionar domenikan në Durrës dhe Vikar i përgjithshëm i së njëjtës Kryedioqezë.
Emërimi i Ipeshkvit të ri ndihmës të Tiranë-Durrësit, tregon edhe një herë dashurinë e Papës dhe të Selisë së Shenjtë ndaj Kishës katolike martire e misionare të Shqipërisë. Po kështu ky emërim ipeshkëvnor pohon përkujdesjen e vazhdueshme të Atit të Shenjtë Benediktit XVI ndaj zhvillimeve, arritjeve e nevojave të reja kishtare e shoqërore në Shqipëri, sikur pohon në mikrofonin e Radio Vatikanit, kryeipeshkëvi ordinar i Tiranë-Durrësit, izmot Rrok Mirdita
 
Këtu ja të dhënat e Jetëshkrimit të ipeshkvit të ri :
Atë Gjergj Frendo ka lindur në Qormi të Maltës më 4 prill 1946, ku edhe u pagëzua me emrin Anthony (Anton). Më 1962 hyri në Urdhërin e Predikatarëve. Nisi menjëherë studimet filozofike e teologjike në Kolegjin Filozofiko-Teologjik Dominikan të Rabatit në Maltë, ku edhe bëri kushtet e përjetshme në vitin 1967 dhe u shugurua meshtar më 7 prill 1969.
Në vitin 1973 u diplomua në Romë në Drejtësi Kanonike pranë Universitetit Papnor të Shën Tomës (Angelicum). U kthye në Maltë ku dha mësim në Kolegjin Dominikan të Rabatit dhe në Fakultetin e Teologjisë në Maltë.
Nga viti 1974 deri në vitin 1996 kreu disa detyra në urdhërin Dominikan: qe mësues i novicëve, epror kuvendi, famullitar provincial; ndërsa në Kryedioqezën e Maltës: Avokat e gjykatës i Gjykatës Ndërdioqezane të shkallës së dytë. Nga viti 1992 deri më 1996 ka qenë Kryetar i Konferencës së Eprorëve të Mëdhenj të Maltës.
Nga viti 1997 ndodhet në Shqipëri ku, duke nisur nga viti 1998, kryen detyrën e Vikarit të Përgjithshëm të Kryediqezës së Tiranës e, nga viti 2001, atë të zevendës-gjyqtarit të Gjykatës Ndër-Dioqezane të shkallës së parë. Nga viti 1999 deri më 2005 ka qenë Kryetar i Konferencës së Eprorëve të Mëdhenj në Shqipëri e, nga viti 2001 deri më 2005, ka qenë anëtar i Këshillit ekzekutiv të Bashkimit të Konferencave Evropiane të Eprorëve të Mëdhenj. Flet mirë anglishten, italishten e shqipen.
Të ndjekim intervistën që Ipeshkvi i ri i dha Programit të gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit menjëherë pas shpalljes së lajmit:RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.