2006-07-09 18:43:41

VDEKJA E PJETËR ARBNORIT - SOT SHQIPËRIA NË ZI KOMBËTARE


(9.7.06. RV)Qeveria e Shqipërisë shpalli ditën e sotme ditë zije kombëtare në nderim të kujtimit të Pjetër Arbnorit, politikan, ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shkrimtar, i cili ka ndërruar jetë në një spital në Napoli (Itali) në moshën 71 vjeçare nga sëmundja e hemoragjisë cerebrale. 

     "Shpallja e ditës së zisë kombëtare bëhet për të nderuar kujtimin e burrit të shquar të kombit, humanistit Pjetër Arbnori, legjendës së qëndresës së njeriut për liri dhe dinjitet njerëzor, simbolit të sakrificës dhe triumfit të vlerave të lirisë", thuhet në deklaratën e Qeverisë.

   Drejtues të Kuvendit të Shqipërisë dhe grupeve parlamentare pritën sot paradite në portin e Durrësit, arkivolin me trupin e pajetë të ish-Kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori.
Funksionarë të lartë të shtetit të Shqipërisë , përfaqësues të partive politike, të trupit diplomatik, ish-të përndjekur, qytetarë dhe të afërm i dhanë sot lamtumirën e fundit Pjetër Arbnorit, ish-kryetar i Kuvendit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Pjetër Arbnori, politikan, ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shkrimtar, ka ndërruar  jetë në një spital në Napoli (Itali) në moshën 71 vjeçare nga sëmundja e hemoragjisë cerebrale. 

    I njohur si Mandela e Shqipërisë, Ish Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputet në pesë legjislatura,(1992-2005) një nga kundërshtarët e regjimit komunist, i burgosur politik për 28 vjet, Pjetër Arbnori, u lind më 18 Janar 1935 në qytetin e Durrësit.

     Që në moshën 14 vjeçare, shpërndau pamflete të cilat bënte thirrje për rezistencë kundër diktaturës komuniste.     

     Pas shkollës së mesme kreu studimet në Fakultetin e Filozofisë në Tiranë. Gjatë kësaj kohe së bashku me intelektualët tjerë, punoi për ndërtimin e një opozitë socialdemokrate, programin e të cilës e përpiloi vetë Pjetër  Arbnori.

     Në vitin 1961 u burgos dhe u dënua me vdekje, dënim i cili  pas tre muajsh burgu u zvogëlua në 25 vjet. Edhe si i burgosur nuk heq dorë nga  veprimtaria e tij, kështu pas një romani dhe disa tregimeve që  përgatiti, dënimi i tij me u zgjatë edhe për dhjetë vite.

     Pas viteve të burgut,  në gushtin e vitit 1989, Pjetër Arbnori  del nga burgu dhe filloi të angazhohet  në rrjedhat demokratike që e kishin kapluar Shqipërinë.

     Më 14 janar 1990  në Shkodër, merr pjesë në demonstratën e parë antikomuniste. Më 1991 zgjidhet udhëheqës i Partisë Demokratike të Shkodrës.

     Më 1992-1996 , Pjetër Arbnori zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

      Ai njihet si shkrimtar dhe historian.Pjetër Arbënori ka shkruar dhjetë romane dhe novela, një numër tregimesh të shkurtra dhe një Ditar sekret të cilin e mbante gjatë 28 viteve të burgut.

     Ka përkthyer disa libra nga anglishtja, italishtja, frëngjishtja dhe rusishtja.

     Ndër veprat e tij përmënden, "Murgut e Mesjetës", "Kur dynden Vikingët" ku bëhet fjalë për diktaturat nacionaliste dhe komuniste.

     Pjetër Arbnori, është "Mësues i Popullit", "Pishtar i Demokracisë", "Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës" dhënë nga Ansamblea e Vendeve Frëngjishtfolëse. Qyteti i Shkodrës i ka dhënë titullin "Nderi i qytetit"








All the contents on this site are copyrighted ©.