2006-07-08 19:13:17

Benedikti XVI ndodhet në Valencia për Takimin V Botëror të Familjeve. Pritet me entuziazëm nga besimtarët spanjollë. Bën homazhe për kujtimin e viktimave të aksidentit të metrosë.


(8.7.06 RV)Shtegtimi i tretë ndërkombëtar i Benediktit XVI nisi me homazhe për viktimat e metrosë së qytetit spanjoll. Entuziaste pritja nga ana e besimtarëve, shumë i ndjekur nga opinioni takimi me kryeministrin spanjoll Zapatero, ndërsa tani sapo ka filluar nata e lutjes me familjet e mbarë botës.
Nesër, Mesha solemne, në të cilën pritet të marrin pjesë më se një milion besimtarë, lutja e Engjëllit të Tënzot dhe rikthimi në Vatikan.
Papa ndodhet në Valencia, ku ka shkuar për të takuar familjet e botës, të thirrura për t’ua transmetuar fenë breznive të reja. Me këtë frymë filloi sot paradite shtegtimi ndërkombëtar i Benediktit XVI, i pari në Spanjë. Avioni papnor preku tokën valenciane rreth orës 11. 21. Për ta pritur Papën kishin dalë, përveç familjes mbretërore të Spanjës, autoritetet më të larta të shtetit e të Kishës si dhe një turmë e madhe besimtarësh entuziastë.
Ndërsa tani, njëkohësisht me transmetimin tonë, Papa ka shkuar në Qytetin e Arteve e të Shkencave të Valencies, për mbylljen e Kongresit V Botëror të Familjeve.
Por të kthehemi tek orët e para të Papës në tokën spanjolle, të ngarkuara me emocion.
“Benedicto amigo la familia esta contigo” – Benedikt mik, familja është me ty. Ndjehet kështu fryma e mirënjohjes së thellë me të cilën familjet e botës mbarë, të mbledhura në Valencia, takohen me Papën e me të cilën u zhvilluan një javë të tërë edhe punimet e Kongresit teologjiko-baritor me temë “Transmetimi i fesë në familje”.
Sapo arriti në aeroportin e Manisës në Valencia, mbreti Huan Carlos Burbon i drejtoi Papës përshëndetjen e mirëseardhjes. I shoqëruar nga mbretëresha Sofia, e falënderoi Benediktin XVI për praninë në tokën spanjolle dhe për fjalët ngushëlluese me rastin e aksidentit në metronë e Valencies, ngjarje tragjike, së cilës më pas Papa i kushtoi disa çaste pikërisht në stacionin e Jezusit, duke u ndaluar aty për t’u lutur, jashtë programit të vizitës, gjë që u duartrokit nxehtësisht nga një numër i madh besimtarësh.
E Papa iu përgjigj mbretit, duke theksuar se prania e tij në Valencia lidhet ngusht me Takimin V Botëror të Familjeve:
MI DESEO ES PROPONER EL PAPEL CENTRAL, PARA LA IGLESIA Y...
“Dëshira ime – tha Papa – është të theksoj rolin qëndror që ka, për Kishën dhe shoqërinë, familja e themeluar mbi martesën. Është një institucion i pazëvendësueshëm sipas planeve të Zotit e Kisha nuk do të pushojë kurrë s’e theksuari e s’e promovuari vlerën e saj themelore – derisa – nënvizoi Benedikti XVI – të jetohet gjithnjë me përgjegjësi e gëzim”.
Së fundi, Papa kujtoi me emocion paraardhësin e tij të nderuar, Karol Vojtilën, mikun e madh të Spanjës, që i thirri familjet e botës në këtë takim. I shoqëruar nga brohoritjet e turmës, që kishte mbushur të dyja anët e rrugës nëpër të cilën kalonte, Benedikti XVI arriti tek vendi i aksidentit ku, pak ditë më parë, humbën jetën 42 persona dhe, në një atmosferë emocioni e entuziazmi, u lut për shpirtrat e tyre.
Më pas Ati i Shenjtë vizitoi katedralen e Valencies, kushtuar Zojës së ngjitur në qiell, ku ruhet Kelku Shenjt që sipas traditës, është po ai kelk në të cilin Krishti piu për herë të fundit nësa themelonte Sakramentin e Eukaristisë. Vizitoi edhe bazilikën e Virgen de los Desamparados, shqip - Zojës të të braktisurve, ku ruhet një shtatore druri e Nënës së Zotit e shekullit XIV, punuar në stil gotik, veshur me petka tradicionale të shekullit XVII. Kjo shtatore vihej mbi arkivolin e të sëmurëve mendorë, të njerëzve të huaj dhe të braktisur, si për të treguar se nuk ishin të pambrojtur, se edhe ata e kishin një Nënë.
Këtu Papa i dhuroi një kelk kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore spanjolle, imzot Blaskuez. I dorëzoi edhe një letër drejtuar të gjithë ipeshkvijve vendas. Benedikti XVI i falënderoi ipeshkvijtë për atmosferën entuziaste që krijuan në këtë Takim botëror. Pastaj i ftoi t’i shfrytëzojnë frytet e takimit e të vijojnë pa u lodhur veprimtarinë baritore familjare ndër dioqezat e tyre, në mënyrë që në çdo shtëpi të hyjë mesazhi ungjillor, i cili forcon shpirtin e i jep përmasa të reja dashurisë, duke e ndihmuar familjen për t’i kapërcyer vështirësitë që ndesh çdo ditë. Në sheshin e bazilikës, para se të thoshte Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në fjalimin drejtuar seminaristëve spanjollë, shoqëruar nga familjarët, Papa theksoi edhe një herë vlerat e familjes:
EL AMOR, ENTREGA Y FIDELIDAD DE LOS PADRES, ASI’ COME...
“Dashuria, këshillat dhe besnikëria e prindërve, ashtu si harmonia në familje, krijojnë ambientin e përshtatshëm që të ndjehet zëri hyjnor e të pranohet dhurata e thirrjes për t’ia kushtuar gjithë jetën Krishtit”.
Së fundi Ati i Shenjtë iu lut Zojës së Bekuar në të folmen valenciane: “Na mbro ditë e natë në të gjitha nevojat tona, sepse ti, o Virgjëra Mari, je Nënë e njerëzve të braktisur”.
Një vizitë e ngarkuar me emocione e me domethënie, që vijoi pasdite me dy takime: pas takimit me familjen mbretërore të Spanjës, Papa u kthye në këmbë në pallatin e kryeipeshkvisë, ku u takua me kryeministrin spanjoll, Hosè Luis Rodriguez Zapatero, i cili shoqërohej nga bashkëshortja, nga zëvendës-kryeministrja Maria Tereza Fernandez de La Vega dhe nga ambasadori i Spanjës pranë Selisë së Shenjtë, Fraçisko Vazkuez Vazkuez. Kryeministrin Zapatero e priti zëvendës-sekretari i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, Leonardo Sandri dhe nunci apostolik Manuel Monteiro de Kastro, që e shoqëruan në Sallën e Audiencave të pallatit kryeipeshkvnor, ku Papa dhe kryeministri zhvilluan një bisedë private, që zgjati 15 minuta.
E tani, kur ne po transmetojmë, në Qytetin e Arteve e të Shkencave sapo ka nisur nata e lutjes me Papën, në të cilën marrin pjesë të gjitha familjet e ardhura nga mbarë bota: çast feste e dëshmish.
Por, me ç’ frymë po e jetojnë familjet e mbledhura në Valencia takimin e tyre të pestë botëror dhe vizitën e Papës Benedikti XVI: ja disa nga dëshmitë e mbledhura nga të dërguarit e Radios sonë në qytetin spanjoll:
Përgjigje: - Mendoj se është një takim i rëndësishëm; e është e rëndësishme edhe të marrësh pjesë në të, për të parë se familja në Evropë është ende e fortë. Të ndjekësh Papën është diçka e rëndësishme, sepse është drita jonë, është ai që na drejton në rrugën e fesë.
Pyetje: - A është e vështirë për juve jeta familjare sot?
Përgjigje: - Per ne jo, por ne kemi përvojën shumëvjeçare të fesë mbi shpatulla. Për ne nuk është e vështirë, sepse jemi përgatitur për martesën. Natyrisht sulmet janë të shumta, edhe gjykimet, por ne jemi të përgatitur për t’i përballuar.
Pyetje: - Të transmetohet feja në familje – kjo është tema e Takimit V të Familjeve, që arriti kulmet e veta: si e jetoni ketë aspekt?
Përgjigje: - Ne ndërkaq e kemi marrë fenë nga Kisha edhe duke ecur në një rrugë të caktuar. Bëjmë pjesë në rrugën neokatekumenale. Ja pra, këtë fe që na e kanë dhënë në famulli, ne përpiqemi t’ua japim fëmijëve, dmth përpiqemi që Krishti të jetë i pranishëm brënda familjeve tona.
Si zakonisht në raste e shtegtimeve ndërkombëtare, Papa i dërgoi, në sa nisej, një telegram presidentit të Republikës Italiane, përmes të cilit i lutet Zotit të dikojë mbi Italinë dhuratën e largpamësisë, që të vijojë ta mbrojë me të gjitha forcat institutin familjar, i cili është qeliza themelore e shoqërisë.
Nga ana e tij, presidenti Napolitano iu përgjigj se familja ka një kuptim të lartë për popullin italian, se përbën bërthamën bazë të shoqërisë italiane e se roli i saj njihet e mbrohet nga Kushtetuta republikane”.
Në çastin e nisjes në aeroportin e Fiumiçinos, rreth orës 9. 45, të paradites, Papa u përshëndet nga zëvendës-kryeministri italian, Françesko Ruteli.







All the contents on this site are copyrighted ©.