2006-07-07 18:17:29

Duke shfletuar kalendarin e 7 korrikut, Kisha katolike përkujtoi Shën Astin, ipeshkëv i Durrësit e Martir


RealAudioMP3 (7.7.2006 RV)Për të gojëdhëna na sjell shumë pak lajme e shumë pak është gërmuar ndër kujtesa e ndër libra për ta rikrijuar edhe një herë jetën e tij. Dimë me siguri se ishte ndër ipeshkvijtë e parë të Durrësit gjatë sundimit të Trajanit, në sa Iliriku qeverisej nga Agrikolao. Pikërisht në këtë kohë u martirizua, sepse nuk pranoi të nderonte shtatoren e Dionizit. Duhet të ketë qenë viti 100, kur ipeshkvi trim derdhi gjakun për Krishtin.
Emri i Astit gjindet edhe në përshkrimin e martirizimit të Pelegrinit, Luçianit, Ezikut, Papios, Saturninit e Gjermanit që, sapo ishin strehuar në Durrës, panë trupin e Astit akoma të mbërthyer në kryq e, të ngushëlluar nga flijimi i tij, shpallen se ishin të krishterë dhe pësuan menjëherë të njëjtin fat. Menologu i Bazilit e kremton Astin më 6 korrik e po në këtë datë, edhe Vjetari kishtar greko-sllav. Ndërsa në Senasarin e Kostandinopojës, festa e tij kremtohet më 7 korrik, së bashku me Shën Pelegrinin e shokët martirë të Durrësit. Emri i Shën Astit ishte i nderuar në gjithë zonën e Shqipërisë Veriore, gjë që e vërteton Kisha e françeskanëve në Rubig e cila, në se i besojmë dëshmive gojore të përcjella brez pas brezi në popull, duhet të ketë qenë fillimisht e etërve benediktinë, për t’u kaluar më pas françeskanëve – siç dëshmon Farlati tek vepra monumentale “Illyricum Sacrum”. Kishëza ishte e pikturuar me afreske, posht të cilave shkruheshin citate nga Shkrimi Shenjt si edhe emrat e shenjtërorëve të pikturuar. Ndërmjet tyre ishte edhe emri i Shën Astit, ipeshkvit e martirit të Durrësit. Kishim, pra, të vetmen ikonë të Shenjtit. Themi kishim, sepsè dihet që afresket, për ruajtjen të cilave u kujdes jashtzakonisht frati-piktor Atë Leon Kabashi, u dëmtuan rëndë gjatë persekutimit komunist. Ngjau kështu që Shën Asti të vritej dy herë: një herë u mbyt nga paganët e kohëve të lashta e më pas nga paganët e kohëve moderne, që deshën të vrisnin kujtimin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.