2006-07-06 19:37:35

Lajme shoqërore-politike: 6 korrik


(6.7.2006 R.V.) RealAudioMP3 Mbetet e rëndë situata e krijuar pas hedhjes së raketave nga ana e Koresë së Veriut. Vetëm sot zyrtarët koreanoveriorë me anë të një deklarate për shtyp pranuan se kanë kryer manovra ushtarake me 7 raketa, një prej të cilave ndërkontinentale dhe se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Në komunikatë thuhet se hedhjet e raketave patën thjeshtë si qëllim “rritjen e fuqisë mbrojtëse të ushtrisë koreanoveriore”. Ndërkaq Këshilli i Sigurisë i OKB-së po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve.


Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut vendosi sot dërgimin e një grupi ekspertësh në territoret palestineze për të vëzhguar nga afër shkeljet e të drejtave njerëzore nga ana e ushtrisë izraelite. Po ky këshill i kërkoi Tel-Avivit të ndërpresë operacionet ushtarake kundër Hamasit dhe të lirojë politikanët dhe deputetët palestinezë të zënë rob.


* * *
Përsëri dhunë në Afganistan ku çdo ditë ka viktima të reja. Një ushtar i forcave aleate dhe 35 rebelë u vranë në luftimet e djeshme gjatë një sulmi në provincën e Helmandit. Gjendja është e nderë edhe në Kabul prej nga, për Radio Vatikanin, flet themeluesi i organizatës “Emergency”, Gino Strada:
Amedeo Lomonaco


Përgjigje: Qyteti në këto çaste është i militarizuar. Ka shumë pak lëvizje dhe gjendja është e nderë. Është një luftë në fazë të rindezjes.


Pyetje: Cilat janë sipas teje shkaqet e kësaj dhune?


Përgjigje: Përshtypja ime është se nuk kemi të bëjmë vetëm me një problem fraksionesh apo personash të armatosur. Mendoj se po rritet padurimi i popullit ndaj këtij pushtimi ushtarak që tashmë vijon prej 5 vjetësh dhe nuk po ndryshon kushtet e jetesës të vetë banorëve.


* * *
Në Irak një bombë shpërtheu sot në afërsi të një xhamie shiite në qytetin Nazhaf. Pati 13 të vrarë. Ndërsa të plagosurit e një shpërthimi në Kufa, gjithnjë në Nazhaf janë 37. Për të parandalur atentatet kryeministri Al Maliki ndaloi rreptësisht të gjitha konferencat me karakter politik nëpër universitetet e Irakut.


Përgjigja e Iranit për paketën e ndihmave të ofruara nga grupi i të pestëve dhe Gjermania për çështjen bërthamore, nuk do të jepet para fillimit të gushtit. Lajmi u bë i ditur nga burimet zyrtare iraniane në Bruksel.


* * *
Në Maqedoni partia socialdemokrate e Vllado Buçkovskit humbi në zgjedhjet e djeshme. Pavarësisht nga trazirat e javëve të kaluara procesi i votimeve u zhvillua në qetësi. Sipas disa rezultateve të pjesshme, partia e qendrës VMRO-DPMNE e Nikola Gruevskit ka fituar shumicën e vendeve në parlament, arsye për të cilën Buçkovski pranoi humbjen. Por, a shkaktoi habi në vend ky rezultat? Këtë pyetje ia drejtuam Risto Carajkovit, korrespondent në Sofje i “Osservatore sui Balcani”:
Eugenio Bonanata


Përgjigje: Unë them se jo. Ishte e parashikueshme që opozita do të ishte në avantazh. Mendoj se kjo fitore e opozitës po ndjek një prirje shumë të qartë në të gjitha vendet në tranzicion: asnjë qeveri nuk rri në pushtet për më tepër se 4 vjet. Kjo do të thotë se kur votohet votohet kundra atyre që qeverisin.


Pyetje: Opozita do të kërkojë aleatë. A mund të bëhen parashikime?


Përgjigje: Nga sa u deklarua dje, mazhoranca ka fituar një përqindje të madhe, është afër shumicës absolute: shumica parlamentare do të ishte 61 vende, 61 mandate prej të cilave ata thonë se kanë 55. Mendoj se partia e Arbër Xhaferit do të jetë aleatja shqiptare në qeverisje. Kjo parti do të jetë e mjaftueshme për të formuar një qeveri.







All the contents on this site are copyrighted ©.