Duke shfletuar kalendarin e 6 korrikut, Kisha katolike kremtoi festën e Shën Maria
Goretit, virgjër e martire
(6.7.2006 RV)Maria Tereza Goreti, ose Marieta, siç e thërrisnin të afërmit,
nuk është e vetmja vajzë e cila parapëlqeu më mirë të vdiste, sesa të pranonte joshjet
e një njeriu që deshi t’ia turbullonte jetën. Pothuajse çdo ditë kronika flet për
ushtrimin e dhunës mbi vajza të reja, të pambrojtura. E kush mund ta kuptojë më mirë
këtë shprehje, se vajzat shqiptare të kohëve tona, të detyruara siç janë për të shkuar
edhe në shkollë në shoqërinë e prindërve, sepsè gjithnjë përballë rrezikut të dhunës
e të rrëmbimit? Po prindërit e Marietës nuk mundën ta mbronin.... Shkaku për
të cilin Kisha e paraqet si shembull këtë shenjte 12 vjeçare, nuk është vetëm sepsè
u shqua për pastërti morale, por pse gjithë jeta e saj ishte shembullore, pse zgjodhi
vdekjen jo vetëm për të mbrojtur nderin, por kryesisht për t’iu bindur urdhërit hyjnor:
“Jo, jo, Zoti nuk do; është mëkat!” - i bërtiti djaloshit Aleksandër Serenelli, kur
ai deshi të përdorte dhunën. Familja Goreti, me origjinë nga Corinaldo, në provincën
e Ankonës, e shtyrë nga nevoja, pati emigruar në Agro Pontino, dhjetë kilometra larg
Netunos, aty nga fundi i shekullit XIX. Njerëzit e saj, të mësuar me punë të rëndë
ndër ara, u strehuan në një shtëpi të vjetër. E ndërsa nëna e babai punonin tokën,
Maria kujdesej për katër vëllezërit, më të vegjël se ajo. Ishte vetëm dhjetë vjeçe,
kur i vdiq i jati, i sëmurë nga malarja. Kështu s’ëmës, Asuntës, iu desh të punonte
gjithë ditën për të siguruar jetesën. E Maria, që nuk kishte mundur të vijonte rregullisht
shkollën, tani hoqi dorë nga gjithçka, për t’iu kushtuar plotësisht shtëpisë e vëllezëve.
Kur kishte sadopak kohë të lirë, vraponte te Kisha e largët për të ndjekur katekizmin.
E kështu mundi të merrte kungimin e parë. Ishte tepër e zhvilluar për moshën, prandaj
tërhoqi vëmendjen e djaloshit të shqetë Aleksandër Serenelli. Ajo i kundërshtoi vazhdimisht.
Por Aleksandri nuk hoqi dorë. Një ditë, kur nëna u nis për në arë, duke e lënë Marietën
vetëm me motrën e vogël (e cila më vonë do të bëhej murgeshë ndër Françeskanet Misionare
të Zojës së Papërlyer), pas refuzimit të zakonshëm të vajzës, e theri disa herë me
thikë. E mbartur në spitalin e Netunos, vdiq një ditë më pas, duke e falur vrasësin
me fjalët: “Për dashuri të Krishtit e fal dhe dëshiroj të vijë me mua në Parajsë!”.
Ishte data 6 korrik e vitit 1902. I dënuar me burgim të përjetshëm, Aleksandër
Serenelli u lirua pas 27 vjetësh për sjellje të mirë. Më 1910 tha se kishte parë në
vegim Martiren e vogël e që atë ças jeta e tij ndryshoi. Më 1950 e ëma e Marietës
dhe të vëllezërit ishin të pranishëm në shenjtërimin e vashës që nuk pranoi të përlyhej
me mëkat.