Vijojnë diskutimet dhe shkëmbimet e përvojës në Takimin V të Familjeve, që të shtunën
e ardhshme do të presë Benediktin XVI
(5.7.2006 RV)Dje, në hapjen Kongresit teologjiko-baritor me temë: “Familje,
jetoje dhe transmetoje fenë”, pjesëmarrësit u luten për viktimat e aksidentit të metrosë
në Valencia. Pastaj kardinali Lopez Truhiljo, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen,
mbajti fjalën e hapjes, i ndjekur nga kardinali Karlo Kafarra, kryeipeshkëv i Bolonjës,
i cili u përqëndrua kryesisht tek marrëdhëniet ndërmjet shtetit laik e familjes. Ndërsa
sot, dita e dytë e Kongresit, delegatët ndoqën fjalën e Primatit të Spanjës, kardinalit
Antonio Canizares Llovera, i cili u foli për aspektet baritore të transmetimit të
fesë në familje. Kardinali theksoi shenjtërinë e lidhjes martesore ndërmjet një burri
e një gruaje, cënuar seriozisht nga politika që ndjek qeveria spanjolle. Pas tij sollën
dëshmitë e tyre përfaqësues të lëvizjeve kishtare e të shoqatave të ndryshme që punojnë
për mbrojtjen e familjes. Ndërmjet tyre, Julio Karron, pasardhës i don Gjuzanit në
udhëheqje të vëllazërisë Bashkim e Çlirim. Njëkohësisht me Kongresin, u hapën edhe
punimet e takimeve “Gjyshërit dhe transmetimi i fesë” dhe “Gjyshërit e familja” kushtuar
bijve dhe gjyshërve në vatrën familjare, veprimtari që organizohen për herë të parë. Të
premten, më 7 korrik në orën 20. 30, në Shetitoren Detare të Plazhit në Malvarroza,
do të kremtohet Rruzarja e Familjeve. Do të marrin pjesë më se 40 fëmijë, të cilët
do të dramatizojnë Misteret. Po në Valencia, të shtunën, më 8 korrik, duke filluar
nga ora 21. 00, do të gërshetohen dëshmitë e disa familjeve, ardhur nga mbarë bota,
me shfaqje artistiko-kulturore të artistëve me famë botërore.