2006-07-05 19:01:14

Lajme shoqërore-politike: 5 korrik


(5.7.2006 RV) Gjendja në Lindjen e Mesme vijon të jetë e nderë. Disa helikopterë izraelitë goditën zyrën e ministrit të brendshëm palestinez me qëllim që t’i bëjnë presion qeverisë së Hamasit të lirojë ushtarin e rrëmbyer Xhilad Shalit. Ndërkaq militantët e Hamasit u kundërpërgjigjën duke hedhur raketa Kasam kundra një shkolle në territorin izraelit.


Provat e raketave me rreze të gjatë veprimi që u zhvilluan dje në Korenë e Veriut po shkaktojnë pakënaqësi në qarqet diplomatike botërore. Japonia vendosi rritjen e nivelit të alarmit ndërsa mbrojtja ajrore amerikane po mbikqyr situatën e krijuar. Regjimi i Kim Jongut vazhdon të shpenzojë shuma të mëdha për ushtrinë ndërkohë që rreth 20 milionë koreanoveriorë jetojnë në varfëri të plotë.


Qeveria irakiane njoftoi se ka nisur bisedime me afro 20 grupe rebelësh pas paraqitjes së planit të kryeministrit Al Maliki për pajtimin kombëtar. Megjithatë dhuna në vend nuk ndalet. Shpërthimi i një autobombe pranë spitalit të Kirkukut shkaktoi një të vdekur dhe dy të plagosur. Gjithashtu qeveria irakiane kërkoi hapjen e hetimeve mbi vrasjen e një familjeje nga ana e ushtarëve amerikanë.


Edhe në Kabul sot paradite pati atentate. Një autobus i ushtrisë u godit nga një bombë. Si pasojë një kalimtar u vra dhe tre nëpunës të ministrisë së mbrojtjes u plagosën. Një shpërthim tjetër ndodhi në veri të kryeqytetit por nuk dihet ende nëse ka viktima.


Ekstremistët islamikë të Somalisë ekzekutuan dje dy tifozë në Mogadishu sepse po shihnin një ndeshje futbolli të Kampionatit Botëror dhe shpërndanë turmën e të rinjëve që ishte mbledhur para ekranit. Ekstremistët menjëherë pas marrjes së pushtetit kanë nxjerrë ligje për ndalimin e shfaqjes së filmave dhe të programeve zbavitëse televizive.


* * *
Në Maqedoni u zhvilluan sot zgjedhjet parlamentare. Gjatë 20 ditëve të fushatës elektorale pati incidente të rënda, madje edhe me armë, por kësaj here jo ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve si në 2001, por ndërmjet dy partive më të mëdha shqiptare: Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, një nga ish-udhëheqësit e UÇK, dhe Partisë Demokratike të Arbër Xhaferrit.
Për mbarëvajten e votimeve votat e shqiptarëve do të jenë vendimtare. Të dyja partitë shqiptare janë rreshtuar respektivisht përkrah partisë së Vllado Buçkovskit i njohur për afrimin e Maqedonisë me BE-ian dhe partisë së Nikola Gruevskit, udhëheqës i VMRO-DPMNE, partisë nacionaliste maqedonase.
Sidoqë të jetë rezultati i votimeve, bashkësia ndërkombëtare u ka bërë thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në qeverisje sepse nga ta varet edhe integrimi i Maqedonisë në Evropën e Bashkuar. Deri tani Maqedonia është i vetmi shtet i Ballkanit perëndimor që ka fituar statusin e kandidatit për në BE-ian.


* * *
Marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian, statusi i Kosovës dhe mosdorëzimi i kriminelëve të luftës ishin disa nga temat e takimit që u zhvillua sot në Romë ndërmjet kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica dhe ministrit të jashtëm italian Massimo D’Alema. Ministri D’Alema theksoi se Italia do të vijojë të mbështesë Serbinë dhe të gjitha vendet ballkanike në rrugën e integrimit si edhe uroi që negociatat për statusin e Kosovës të zhvillohen në një klimë të përshtatshme dhe konstruktive.


Italia është skuadra e parë finaliste e Botërorit 2006. Me fitoren e djeshme kundra Gjermanisë me rezultatin 2-0, italianët shkojnë drejt finales që do të luhet me 9 korrik në Berlin, ku do të ndeshen me skuadrën fituese të takimit Francë-Portugali, që po zhvillohet në këto çaste.







All the contents on this site are copyrighted ©.