2006-07-05 18:10:07

Duhet të jemi gjithnjë gati për ta deklaruar bashkimin tonë me Krishtin: kështu u shpreh sot Benedikti XVI para mijëra besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit


(5.7.2006 RV)‘Feja qëndron mbi çdo interes njerëzor’, nënvizoi Benedikti XVI sot paradite në audiencën e fundit të përgjithshme para nisjes për pushimet verore në Lë Kombë të Vale d’Aostës, ku do të shkojë më 11 korrik. Ati i Shenjtë do të niset për pushime menjëherë pas kthimit nga Valencia e Spanjës, ku do të jetë të shtunën dhe të dielën e ardhshme, për të marrë pjesë në Takimin V Botëror të Familjeve.
Dhjetra mijëra shtegtarë, pa marrë parasysh vapën përvëluese, e pritën Benediktin XVI në Sheshin e Shën Pjetrit për të ndjekur katekizmin e së mërkurës, që sot iu kushtua figurës së Gjonit, birit të Xebedeut e vëllaut të Jakobit. Sipas traditës, Gjoni ishte dishepulli më i dashur i Krishtit, ai që mbështeti kokën mbi kraharorin e Mjeshtrit në Darkën e Mbrame, që ishte tek këmbët e Kryqit së bashku me Nënën e Jezusit, dëshmitar tek varri i zbrazët e i pranishëm në ngjalljen e Zotit. Gjoni zë një vend të rëndësishëm në Kishën e Jeruzalemit. Për Palin, ai është një nga shtyllat e kësaj bashkësie të parë të krishterë. Së bashku me Pjetrin, para Sinedrit që është duke i gjykuar, ai deklaron: “Ne nuk mund të heshtim për atë që kemi parë e që kemi dëgjuar”. Një model për jetën tonë, nënvizoi Benedikti XVI:
“Pikërisht kjo çiltërsi në dëshmimin e fesë, mbetet shembull e qortim për të gjithë ne, duke na ftuar të jemi gjithnjë gati për ta deklaruar vendosmërisht lidhjen tonë të pashkëputshme me Jezusin e për ta vemë fenë mbi çdo llogari e mbi çdo interes njerëzor”.
Më pas Papa nënvizoi rëndësinë që ka Shën Gjonit Apostull për Kishën lindore, duke kujtuar se kulti i tij nisi së pari në qytetin e Efezit, ku zhvilloi për një kohë të gjatë veprimtarinë apostolike, ku vdiq në moshë shumë të shtyrë e ku ndodhen ende rrënojat e një bazilike të madhe kushtuar Shenjtit, ndërtuar nga perandori Justinian në shekullin IV. Së fundi Ati i Shenjtë u lut për të gjithë ndjekësit e Krishtit:
“Zoti na ndihmoftë të ulemi në shkollën e Shën Gjonit për të nxënë mësimin e madh të dashurisë, që kështu ta ndjejmë se Krishti na do ‘deri në fund të fundit’ e t’ia kushtojmë Atij gjithë jetën”.
Në përfundim të katekizmit, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë u kujtoi shtegtarëve polakë se në muajin korrik nderohet Gjaku i paçmueshëm i Jezu Krishtit. E në botë – vijoi të kujtonte Papa – derdhet rishtas gjak i pafajshëm njerëzor. Zemrat e njerëzve, në vend që të jenë plot me dashuri ungjillore e me dëshirë për t’u kujdesur për njeriun, shpesh herë janë përplot me urrejtje, me përbuzje, me padrejtësi. Prej këndej Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të luten që njerëzimi i sotëm ta provojë forcën e Gjakut të Krishtit, që u derdh në Kryq për shpëtimin tonë.
Më pas, duke iu drejtuar shtegtarëve sllovakë, i porositi ta nderojnë kujtimin e Shenjtorëve vëllezër Çirili e Metodi, festa e të cilëve u kremtua sot në Sllovaki, duke theksuar se janë shembuj të unitetit të fesë. E në ftesën drejtuar të rinjve, Papa, nënvizoi dëshminë ungjillore të të Lumit Piergjorgjio Frasati, festa e të cilit u kremtua dje.
Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI i uroi punë të mbarë pjesëmarrësve në Simpoziumin për mbrojtjen e gjithësisë, që do të mbahet në Brazil nga 13 deri më 20 korrik, organizuar nga Patriku i Kostandinopojës, Bartolomeu I. Benedikti XVI uroi edhe që kjo nismë e rëndësishme të kontribuojë për promovimin e respektit gjithnjë më të madh për natyrën, që Zoti ia besoi duarve punëtore e plot përgjegjësi të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.