2006-07-04 17:42:02

“Përgjegjësia e feve për mbrojtjen e vlerave shpirtërore e morale” në qendër të takimit të udhëheqësve fetarë të botës, hapur dje në Moskë


(4.7.2006 RV)Siç kujtoi Papa Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, dje në Moskë filluan punimet e takimit të udhëheqësve fetarë, organizuar nga Këshilli ndërfetar i bashkësisë së shteteve të pavaruara. Në këtë nismë, që do të vijojë deri më 5 korrik, po shkëmbejnë përvojën rreth 200 përfaqësues të Kishave ortodokse, të Kishave parakalçedoneze e të Kishës katolike, nga 40 vende të ndryshme. Marrin pjesë edhe përfaqësues të islamit, të hebraizmit e të induizmit, përfaqësues të Këshillit ekumenik të Kishave dhe të organizatave të tjera fetare ndërkombëtare. Nga ana e katolikëve janë të pranishëm, ndërmjet tjerëve, kardinajtë Uollter Kasper e Pol Pupard, përkatësisht kryetarë të dikastereve vatikanase të Bashkimit të të krishterëve dhe të Kulturës; pastaj kardinali Rogjer Etçegarai, kryetar nderi i k Këshillave Papnore për ‘Drejtësi e Paqe’ dhe ‘Cor unum’ dhe Godfrid Daniels, kryeipeshkëv i Malines-Brukselit. Shumë e pasur tematika e përgatitur paraprakisht nga një grup i veçantë. Po diskutohet mbi rolin e fesë në shoqërinë e sotme e posaçërisht mbi përgjegjësinë që kanë fetë për mbrojtjen e vlerave shpirtërore e morale, në shërbim të ndërtimit të një bote më të mirë. Po flitet për luftën kundër terrorizmit dhe fanatizmit, por edhe për respektimin e ndjenjave fetare e të çdo gjëje që është e shenjtë për traditat e ndryshme fetare. Shkëmbehet përvoja edhe për veprimtaritë kishtare në luftën kundër varfërisë, në mbrojtjen e mjedisit, në partneritetin ndërmjet qytetërimeve, globalizimin dhe rendin botëror, dialogun ndërmjet feve dhe politikën.
I rëndësishëm mesazhi i Patrikut të Moskës, Alekseit II që theksoi se përvoja shumshekullore e Rusisë është e qartë: “ Njerëz të feve të ndryshme mund të jetojnë paqësisht së bashku”.
Ndërsa kardinali Pupard theksoi: “Jemi këtu për të ndarë së bashku shqetësimet e kohës dhe për t’u impenjuar në nxitjen e dialogut ndërkulturor e ndërfetar, në shërbim të mbarë njerëzit,
Takimi i Moskës do të pëfundojë me një “Deklaratë” që do t’u dërgohet udhëheqësve të G.8, gjatë takimit të rangut të lartë, që do të mbahet nga 15 deri më 17 korrikun e ardhshëm në Shën Pieterburg.







All the contents on this site are copyrighted ©.