2006-07-04 17:40:33

Papa lutet për viktimat e aksidentit të metrosë në Valencia, ku vijon Takimi Botëror i Familjeve


(4.7.2006 RV)Benedikti XVI është pranë atyre që vuajnë për shkak të humbjes të të dashurve në aksidentin e metrosë së Valencies, gjatë të cilit humbën jetën 41 vetë. . Pjesëmarrësit në Takimin Botëror të Familjeve luten për viktimat, që u salikuan sonte në katedralen vendase. Ndërkaq, sot pasdite u hapën punimet e Kongresit teologjiko-baritor me temë: “Familje, jetoje dhe transmetoje fenë”.
Ati i Shenjtë – njofton një notë e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Joakin Navarro Valls - u vu menjëherë në dijeni për aksidentin tragjik dhe i ndoqi me shqetësim të thellë lajmet dramatike që arrinin nga Valencia, ku Papa do të niset të shtunën për të marrë pjesë në Takimin V Botëror të Familjeve. Shenjtëria e Tij – vijon nota - u lut për viktimat, për familjet e tyre dhe për të gjithë ata që jetuan tronditjen e këtij aksidenti.
Në mbrëmje Ati i Shenjtë i dërgoi një telegram ngushëllimi Kryeipeshkvit të Valencies, Imzot Agustin García-Gasco Vicente, përmes të cilit shpreh dhimbjen për familjet e viktimave, duke i siguruar se lutet që Zoti t’i ngushëllojë të gjallët e t’i pranojë në jetën e amshuar shpirtrat e të vdekurve.
Tragjedia e metrosë i tronditi thellë të gjithë ata që janë mbledhur, nga mbarë bota në Takimin Botëror të Familjeve e që presin, plot emocion, arritjen e Atit të Shenjtë. Megjithatë, veprimtaritë vijojnë.
Sot pasdite, pranë Qendrës së Panairit valencian, nisën punimet e Kongresit teologjik-baritor me temë “Transmetimi i fesë në familje” në të cilin marrin pjesë 5 mijë vetë. Dita e parë përfundoi me përshëndetjen e kardinalit Truhiljo, kryetar i Këshillit Papnor për familjen.
E njëkohësisht, në të gjitha kishat u mbajtën takime lutjeje, u thanë rruzare e u kremtuan Meshë shenjte për shpirtrat e viktimave.
Ndërkaq Fondacioni organizator i takimit të familjeve njoftoi se i ka ndërprerë të gjitha manifestimet e festës, duke iu përgjigjur vendimit të autoriteteve vendore e kishtare për të shpallur tri ditë zije.
Por, të kthehemi tek Kongresi teologjiko-baritor, për të cilin nga na flet sekretari i Këshillit Papnor për Familjen, kryeipeshkvi Karl Romer:
Përgjigje: - Kemi dy perspektiva themelore shumë të rëndësishme: nga njëra anë bëhen përpjekje për t’i dhënë familjes një shpirt të ri, një gëzim të ri, një vetëdije të re për mundësitë e detyrat e saj; nga ana tjetër, për t’i transmetuar një fjalë shoqërisë, që nuk e kupton si duhet vlerën dhe thesarin që përfaqëson familja. Pra, nga njëra anë duam të përtërijmë familjet, duke u dhënë motivime të reja, nga ana tjetër, t’i çojmë një mesazh të fortë dhe të qartë mbarë shoqërisë njerëzore.
Duhet t’u krijojmë të gjithëve vetëdijen se familja përfaqëson qelizën themelore të shoqërisë; e këtë vetëdije duhet ta kenë në radhë të parë vetë familjet. Ka rëndësi që këtë ta pohojnë të gjithë, e jo vetëm Papa e meshtarët. Duhet të luftojmë të gjithë që vetëdija publike ta kuptojë vlerën e familjes, e cila duhet ungjillëzuar, duhet përtrirë vazhdimisht në vetvete, për t’u bërë pastaj ungjillëzuese, për t’ua transmetuar edhe të tjerëve Ungjillin e Krishtit.
Pyetje: - Mbrojtja e familjes – ka thënë Papa, nuk është thjeshtë çështje konfesionale, por diçka që u intereson të gjithëve. Si mund të bashkohen besimtarët dhe jo besimtarët në mbrojtje të familjes?
Përgjigje: - Është interesant fakti se Gjon Pali II, në të gjithë dokumentet e tij – që janë shumë të pasur, që nga enciklikat - tek letrat – kushtuar familjes, rrallë herë flet për shenjtërinë e martesës: flet më tepër për atë që është e përbashkët për të gjithë burrat, për të gjitha gratë, për vlerën e njeriut në përgjithësi. Gjon Pali II e pas tij edhe Benedikti XVI, dëshirojnë të tregojnë se realiteti i familjes është pasuri që i takon njeriut e prandaj Kisha, kur mbron familjen, nuk mbron interesat veta, por ato të mbarë njerëzimit. Prandaj mund të themi se Kisha radhitet përkrah të gjithë njerëzve vullnetmirë në luftën për mbrojtjen e këtij ideali.








All the contents on this site are copyrighted ©.