Duke shfletuar kalendarin e 4 korrikut, Kisha katolike kremtoi festën Shën Izabelës
së Portugalisë
(4.7.2006 RV)Izabela, lindur në Saragozë të Spanjës më 1271, vdekur në Estremoz
të Potugalisë më 4 korrik 1336, ishte bija e Pjetrit, mbretit të ardhshëm të Aragonës.
Duke qenë bijë mbreti, ishte e natyrshme të martohej me një mbret. E këtë sigurisht
do ta vendosnin të afërmit të cilët, në sa ajo ishte vetëm 12 vjeçe, ia dhanë për
nuse Dionizit, mbretit të Portugalisë. Dionizi kishte plot merita: zhvilloi ekonominë
portugeze, krijoi flotën, themeloi universitetin e Lisbonës, që më pas do të transferohej
në Koimbra. Ishte sundimtar i mirë, por bashkëshort i keq, gjithnjë i ngatërruar me
gra të tjera, që i nxorën në dritë një mori fëmijësh, përveç dy fëmijëve që i fali
Zoti me Izabelën. E ajo, ndonëse e fyer dhe e tradhtuar nga i shoqi, vijoi t’i
qëndronte besnike në mënyrë shembullore, duke ia kushtuar gjithë vetveten fëmijëve:
Alfonsit e Kostancës si dhe të sëmurëve që kishin lëngatë të këqija, siç quheshin
asokohe. E jo vetëm kaq: nisi të kujdesej edhe për fëmijët që nxirrnin në dritë gratë
tjera, me të cilat së pushonte s’u ngatërruari i shoqi. Kryente kështu një vepër vërtetë
të krishterë. Si mbretëreshë e madhe që ishte. E Dionizi i pabesë nuk mund të mos
e ndjente epërsinë e saj morale, gjë që e vërteton çasti kur i biri, Alfonsi, çoi
krye kundër t’et. Vetëm autoriteti i padiskutueshëm i Izabelës mundi të shmangë ndeshjen
e armatosur atë e bir. Pas kësaj ngjarjeje, u akuzua se nxiste të birin kundër
mbretit dhe u internua në Alenkuer, në veri të Lisbonës. Por shumë shpejt mbreti
e thirri rishtas pranë: kishte nevojë për të, për këshillat e saj. E ajo u kthye prap
në vendin e vet, pranë mbretit. E kur Dionizi u sëmur nga një sëmundje vdekjeprurëse,
ishte ajo që u kujdes për të shoqin, deri në çastin e fundit. Pas vdekjes së
mbretit, më 1325, në fron u ul i biri, Alfonsi IV, por Izabela nuk i ndenji pranë,
si nënë mbretëreshë që ishte. U bë shtegtare e pendestare. Veshur me zhgunin e tercjares
françeskane, shkoi këmbëzbathur deri në Shenjtëroren e Shën Jakut të Kompostelës.
Pastaj u strehua nga klariset në kuvendin e Koimbrës, themeluar prej saj e jetoi aty,
por pa i bërë kushtet, të cilat do t’i merrte vetëm pak para se të vdiste. Kuvendi
u bë shtëpia e saj përgjithnjë. Doli që aty vetëm një herë: kur iu desh të pajtonte
të birin, Alfonsin IV me Ferdinandin, mbretin e Kastiljes, dhëndrrin e saj, burrin
e Kostancës. Ishte 65 vjeçe. Trupi i saj, i ligështuar nga pendesët e shumta, nuk
qe më në gjendje të përballonte mundimin e një udhëtimi të bërë në kulmin e vapës.
Takoi të birin e të renë, u ndal në Estremoz, po nuk mundi të vijote më tej. Lodhja
dhe ethet ia këputën jetën. Trupi i saj u mbart në kuvendin e Koimbrës. Më 1612,
kur u zbulua gjatë mbartjes për procesin e shenjtërimit, u gjet i pakalbur. Kanonizimi
solemn i saj u kremtua në Romë në vitin 1625, nën papninë e Urbanit VIII.