2006-07-04 17:41:23

Atë Zef Pllumit i jepet titulli i lartë “Nderi i Kombit”


(4.7.2006 RV)Për kontributin në kulturën kombëtare dhe rezistencën ndaj regjimit komunist, njeriut të veshur me zhgunin françeskan, Atë Zef Pllumit, iu dha nga presidenti i Republikës Urdhri i Lartë “Nderi i Kombit”. Nxënësi i mësuesve të mëdhenj katolikë që rezistoi burgjeve të diktaturës, lë pas një nga dëshmitë më unikale të kësaj kohe, një vepër thuajse historike, për kohën kur historia shkruhej ndryshe nga ç’ishte realiteti. Vepra në tri vëllime “Rrno vetëm për me tregue” është dëshmi, në radhë të parë, e përmbushjes në formën më të lartë e detyrës prej qytetari të lirë, çka e theksoi në motivacionin e urdhrit edhe presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.
Katër vjet pas dhënies së këtij urdhri, At Gjergj Fishtës, është ky pasardhës i elitës kulturore të shkollës françeskane që gëzoi në gjallje respektin e autoriteteve më të larta të një shteti laik. Padër Zefi është njeriu që ka besuar gjithmonë se vetëm me dije e kulturë, dhe asgjë më shumë se kaq, shqiptarët do t’i bëjnë ballë cilësdo formë diktature. Këtë vit pritet të hapet në Shkodër, atje ku ai ushtroi aktivitetin e tij si intelektual e meshtar, shkolla austriake 12- vjeçare, e katërta shkollë e këtij lloji në botë, e kjo falë ndërmjetësimit të Padër Zefit.
Dje, në ceremoninë e promovimit të veprës “Rrno vetëm për me tregue”,i mbështetur në bastun, ai tha vetëm dy fjalë “Këtë libër e kam shkruar për histori, për një kohë të kaluar e për një kohë në të cilën kemi jetuar. Për atë kohë kur ndryshe është shkruar historia kur ndryshe ishte. Duke qenë i brumosur me kulturën klasike, e kam shkruar ashtu siç kanë shkruar historianët e vjetër, pa inate, pa i shërbyer kujt. Se sa ka për të qëndruar e vërteta e saj, koha do ta tregojë”.
Po dje, në ceremoninë e paradites kur Presidenti Moisiu i dorëzoi At Zef Pllumit, urdhrin “Nderi i Kombit”, u shpreh se “At Zefi është këtu për të dëshmuar me praninë e tij fitoren morale dhe njerëzore kundër një prej regjimeve më të egra në të gjithë Europën Lindore. Si i tillë, ai përfaqëson në mënyrën më bindëse disidentin politik, luftëtarin antikomunist dhe simbolin e qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”.
Propozimin e intelektualëve shqiptarë për dhënien e titullit e kanë përshëndetur dje edhe drejtues të lartë të kishës katolike, si Imzot Rrok Mirdita, i cili vetëm në një moment nuk është dakord me motivacionin. Atëherë kur Moisiu thekson disidencën politike të figurës së Padër Zefit. Mes të tjerash, Imzot Mirdita thotë se ka ardhur koha që edhe Shqipëria të mbështesë rezolutën evropiane për dënimin e krimeve të komunizmit.1Marrë nga gazeta “Shekulli - 04. 07. 06







All the contents on this site are copyrighted ©.