2006-07-03 19:28:27

Papa priti grupin e parë të ipeshkvijve kroatë, në vizitë ad Limina


(3.7.2006 RV)Pas viteve të tmerrshme të luftës, që i siguroi shkëputjen nga Jugosllavia, Kroacia shikon plot besim drejt së ardhmes, drejt Bashkimit Evropian. Është një fazë tranzicioni në të cilën, në gjirin e popullsisë kroate, ndjehet fuqimisht prania e Kishës
Por, të ndjekim një sintezë të veprimtarisë së Kishës në Kroaci:
E madhe sa një e pesta e Italisë, me një popullsi prej rreth 4, 5 milonë banorësh, Kroacia është e pavarur që nga viti 1991. 86% të kroatëve janë të besimit katolik. Në vend kryejnë misionin e tyre 27 ipeshkvij, më se 1400 priftërinj dioqezanë e rreth 800 rregulltarë. Kroacia bën përpjekje për të shëruar plagët e hapura nga lufta në gjysmën e viteve ’90. E ne kujtojmë se edhe Kisha katolike pagoi një haraç jo të pakët në konfliktin serbo-kroat: tre meshtarë të vrarë, 17 të internuar në kampet e përqëndrimit; 226 priftërinj, rregulltare e rregulltarë të dëbuar nga vendet e lindjes; më se 1400 kisha e prona kishtare të shkatërruara ose të dëmtuara rëndë. Në këto vite dramatike Kisha, e posaçërisht Papa Gjon Pali II, i qëndroi shumë pranë popullsisë së pafajshme, të tronditur rëndë nga konflikti.
Më 10 qershor 1996, të rinjtë e Kroacisë u mblodhën në Split për të kremtuar 1700-vjetorin e qytetit dalmat. Atyre, që më në fund po shikonin plot besim një të ardhme paqësore, Papa Gjon Pali II u pati drejtuar mesazhin e tij të shpresës, duke i ftuar të pastrojnë gërmadhat e të bëjnë të lulëzojë jeta mbi truallin e mbrujtur me gjakun e sa e sa njerëzve të pafajshëm. Ndërtojeni së bashku tokën tuaj – i pati ftuar Papa të rinjtë – me respekt reciprok e bashkëpunim të frytshëm”.
Gjon Pali II, gjatë papnisë së Tij, e vizitoi tri herë Kroacinë: më 1994, më 1998 e më 2003, në shtegtimin e tij të njëqindtë ndërkombëtar. Papa Vojtila e pati nxitur popullin kroat të mjekojë plagët e së kaluarës e të forcojë lirinë dhe demokracinë e fituar.
Ipeshkvijtë kroatë gjunjëzohen tej Varret e Apostujve pesë vjet pas vizitës së tyre të fundit ‘ad Limina’, më 1999. Asokohe Gjon Pali II pati nënvizuar se për kroatët ka shumë rëndësi t’i qëndrojnë besnikë rrënjëve të tyre të krishtera. “Edhe vendi juaj, pasi provoi periudhën e provës – u pati kujtuar Papa Vojtila – tani gëzon një periudhë paqeje e lirie. Por nuk duhet harruar kurrë e kaluara. Prandaj ipeshkvijtë dhe mbarë populli duhet të jenë gjithnjë vigjilentë, që të ecet pa dredhime në rrugën e lirisë, duke respektuar të gjitha të drejtat njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.