2006-07-03 19:27:47

Në Engjëllin e Tënzot, Papa u lut për paqen në Irak e në Tokën Shenjte dhe i ftoi besimtarët në Valencia, për Takimin Botëror të Familjeve


(3.7.2006 RV)“Popujt e Irakut dhe të Tokës Shenjte, popujt që vuajnë për shkak të dhunës, janë në zemër të Benediktit XVI. Papa ndjek çdo ditë me shqetësim të thellë ngjarjet në këtë zonë të botës dhe, në lutjen e Engjëllit të Tënzot u bëri thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë të ndërtojnë bashkëjetesën paqësore.
“Përballë dhunës së verbër, që bën masakra mizore nga njëra anë, e të kërcënimit të këtyre ditëve për thellimin e krizës, nga ana tjetër, bëhet edhe më dramatike nevoja për drejtësi dhe impenjim serioz e të besueshëm për paqe, që për fat të keq nuk duken gjëkundi. Prandaj i ftoj të gjithë të bashkohen në lutje të vazhdueshme, plot besim në Zotin. Ai i Lumi i ndriçoftë zemrat e njerëzve, që të kryejnë detyrën e tyre në përpjekjet për vendosjen e bashkëjetesës paqësore, duke pranuar se çdo njeri, pavarësisht nga populli të cilit i përket, është vëllau ynë”.
Para se të bënte thirrje për paqen në Irak e në Tokën Shenjte, Papa foli posaçërisht për Takimin e familjeve në tokën spanjolle. Benedikti XVI kujtoi thirrjen e paraardhësit të tij të dashur, Gjon Palit II, 25 vjet më parë në Këshillimin Apostolik ‘Familiaris consortio’: “Familje, bëhu ajo që je!” Më pas shpjegoi kuptimin e motos së vizitë së tij apostolike në Valencia: “Familje, jeto e transmeto fenë!”.
Në shumë bashkësi sot të shekullarizuara, gjëja më urgjente për besimtarët në Krishtin është pikërisht të përtërijnë fenë e të rriturve, në mënyrë që të jenë në gjendje t’ia komunikojnë breznive të reja. Nga ana tjetër, fillesa e rrugës së krishterë e fëmijëve, mund të bëhet rast i përshtatshëm, që i shtyn edhe prindërit të afrohen tek Kisha e të përvetësojnë gjithnjë më shumë bukurinë dhe vërtetësinë e Ungjillit”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.