2006-07-03 19:24:45

Lajme shoqërore-politike: 3 korrik


(3.7.2006 R.V.)Rritet ankthi në Lindje të Mesme për jetën e ushtarit të rrëmbyer izraelit. Sot Hamasi njoftoi se do ta lirojë me kusht që izraelitët të lënë të lirë ministrat dhe deputetët të arrestuar nga ushtria javën e kaluar, por ultimatumi u hodh poshtë nga qeveria izraelite. Lidhur me këtë çështje ministri izraelit i mbrojtjes Perec tha se vendi i tij fajëson Sirinë për marrjen peng të ushtarit Xhilad Shalit.


Janë shtatë viktimat e autobombës që tronditi qytetin e Mosulit në Irak. Objektivi i rebelëve ishte një makinë e policisë irakiane. Pak orë më vonë tre persona mbetën të vrarë në një atentat tjetër, në tregun e qytetit të Mahmudijes, në jug të Bagdadit.


Edhe në Sri Lankë pati atentate të reja. Tashmë ka disa javë që kanë rifilluar atentatet kundra qeverisë së Kolombos. Sot të paktën tre persona humbën jetën nga shpërthimi i një bombe në hyrje të qytetit të Trinkomalesë, zonë e populluar nga etnia Tamil.


Sot paradite në Kamboxhia nisi procesi gjyqësor ndaj drejtuesve dhe përfaqësuesve të Kmerëve të Kuq, të akuzuar për genocid dhe vrasjen e rreth 2 milionë personave, një e treta e krejt popullsisë. Rregjimi komunist i Kmerëve të Kuq të udhëhequr nga Pol Poti, qeverisi vendin nga viti 1975 deri në 1979.


Somalia distancohet nga Al Kaeda. Pas Oborreve Islamike, që muajin e kaluar pushtuan kryeqytetin Mogadisho, edhe qeveria e tranzicionit deklaroi se nuk e përshëndet mesazhin e fundit të Bin Ladenit, i cili u kërkon myslimanëve të mos lejojnë forca të huaja të ndërhyjnë në këtë vend afrikan. Ndërkaq, Bashkimi Afrikan në mbledhjen e radhës vendosi dërgimin e një force paqëruajtëse në Somali.


Pritet që me 24 korrik zëvendëskomisioneri i BE-ian Franco Frattini t’u paraqesë ministrave të jashtëm të 25 vendeve që bëjnë pjesë në BE-ian, një plan të hollësishëm për liberalizimin e vizave për Ballkanin perëndimor. Kushti themelor është që këto shtete të pranojnë “Konventën për ripranimin e personave”. Shqipëria është i vetmi shtet ballkanik që e ka nënshkruar deri tani këtë konventë.







All the contents on this site are copyrighted ©.