2006-07-01 09:25:17

“Shenjtorët e javës”


(2.7.2006 RV)Sot është e Diela XIII e kohës gjatë vitit kishtar
Nesër, e hënë, Kisha katolike do të kremtojë festën e Shën Tomës Apostull dhe të Shën Leonit II papë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e Tij, ashtu si Shën Toma që besoi përmes dëshmisë së apostujve e, sidomos, përmes takimit personal me Jezusin.
Shën Izabela e Portugalisë, që do të kremtohet të martën e ardhshme, na kujton se nganjëherë, kur jeta na bën të vuajmë tepër, na duket se Zoti fle, se nuk i dëgjon lutjet tona, nuk e shikon mjerimin tonë; por në të vërtetë, po të besojmë në të, askush nuk do të mund të na mposhtë, sepse Zoti është më i fortë se çdo e keqe, më i fuqishëm edhe se vdekja. Feja të shpëton!
Në festën Shëna Ndout Maria Zakarisë, themelues i Barnabitëve dhe i Motrave Engjëllore të Shën Palit, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën e ardhshme, kujtojmë se bijtë dhe bijat e Shenjtit kanë arritur qëkur në trevat shqiptare, ku kryejnë misionin e tyre në shërbim të edukimit fetar e kulturor të rinisë shqiptare.
Të enjten e ardhshme është festa e Shën Maria Goretit dhe Shën Maria Tereza Ledohovskas, themeluese e Motrave Misionare të Shën Pjetrit Klaver. Na kujtojnë se Zoti me një fjalë të vetme krijoi botën e me një fjalë të vetme na çliron nga çdo e keqe fizike a morale. Jezusi është fjala që bëhet jetë për çdo njeri. T’ia besojmë Atij vetveten, në se duam të shëlbohemi!
Të premten, pastaj, do të kremtohet një shenjt i trevave shqiptare: Shën Asti, ipeshkëv i Durrësit, që na kujton se shenjtëria u përket të gjithë kombeve e popujve e se populli shqiptar ka ndërmjetësuesit e vet të lashtë e të rinj pranë fronit të Zotit. T’u lutemi atyre për fatet e Shqipërisë!
Të shtunën do të kremtohen Shenjtorët Adriani, Eugjeni III papë, Akuila e Priska, nxënës të Shën Palit, të cilët predikuan pa u lodhur lajmin e mirë të Ungjillit, fjalën e Zotit, që është fjalë paqeje.







All the contents on this site are copyrighted ©.