2006-07-01 12:11:51

Në Valencia të Spanjës filloi Takimi V Botëror i familjeve: Benedikti XVI pritet më 8 e 9 korrik


(2.7.2006 RV)“Transmetimi i fesë në familje” – kjo është parulla e kësaj ngjarjeje të madhe, organizuar nga Këshilli papnor për familjen, në të cilën marrin pjesë mijëra familje nga mbarë bota. Takimi nisi me Panairin Ndërkombëtar të Familjes e do të vijojë me Kongresin Ndërkombëtar Teologjik - Baritor dhe me Natën e lutjes, në të cilën do të sjellin dëshmitë e tyre disa familje.
Pastaj do të kremtohet Mesha përfundimtare. Dy kremtimet e fundit do të kryesohen nga Benedikti XVI i cili do të arrijë në Valencia më 8 korrik.
Në Panairin Ndërkombëtar të Familjes, që u hap dje e do të vijojë deri më 7 korrik, marrin pjesë ndërmarrje, shoqata dhe ONG (Organizata jo qeveritare) që punojnë në favor të familjes në mbarë botën.
Kongresi Ndërkombëtar Teologjiko-Baritor do të mbahet nga 4 deri më 7 korrik. Do të ketë në qëndër të vëmendjes disa tema të veçanta për familjen e në mënyrë të posaçme, transmetimin e fesë në vatrën familjare në aspekte nga më të ndryshmet.
Në takimin ndërkombëtar të familjeve marrin pjesë 29 kardinaj nga 25 vende të botës si edhe e disa përfaqësues të Kishës ortodokse greke, ruse e rumune. Rinisë do t’i kushtohet takimi “Të rinjtë, familja e transmetimi i fesë”, gjatë të cilit do të preken problemet më të mprehta që kanë të bëjnë me moshën rinore në kohët tona, si puna, detyrat që burojnë nga martesa dhe liria fetare në botën universitare, politike e punëtore.
Takimin do ta përurojë kardinali Alfonso López Truhiljo, kryetar i Këshillit papnor për familjen, ndërsa do ta kryesojë kryeipeshkvi i Valencies, imzot Agustin García-Gasco.
“Gjyshërit dhe transmetimi i fesë” dhe “Gjyshërit e familja” do të jenë temat kryesore të takimit të tretë, që do të mbahet të mërkurën, më 5 dhe të enjten më 6 korrik, kushtuar figurës së gjyshërve në vatrën familjare.
Të premten, më 7 korrik në orën 20. 30, në Shetitoren Detare të Plazhit në Malvarroza, do të kremtohet Rruzarja e Familjeve. Do të marrin pjesë më se 40 fëmijë, të cilët do të dramatizojnë Misteret.
Po në Valencia, të shtunën, më 8 korrik, duke filluar nga ora 21. 00, do të gërshetohen dëshmitë e disa familjeve, ardhur nga mbarë bota, me shfaqje artistiko-kulturore të artistëve me famë botërore.
Së fundi, të dielën, më 9 korrik, Papa Benedikti XVI do të kryesojë Meshën solemne, gjatë së cilës çiftet që përkujtojnë 50-vjetorin e martesës do të përsërisin premtimet e bëra para Zotit ditën kur u lidhën me kurorën shenjte.
Kujtojmë se me rastin e Takimit V Botëror të Familjeve Benedikti XVI u jep ndjesën e plotë besimtarëve që plotësojnë këto kushte: rrëfehen, kungohen dhe luten sipas ndjetit të Atit të Shenjtë, me shpirt të pastër, larg çdo mëkati si dhe marrin pjesë me devocion, fizikisht ose shpirtërisht, në ndonjë nga kremtimet që do të mbahen në Valencia.







All the contents on this site are copyrighted ©.