Të mbrohen vlerat, si ajo e familjes dhe e jetës njerëzore, shpirt i popujve, nga
të cilat nuk mund të hiqet dorë: janë fjalët e Papës drejtuar ambasadorit të ri të
Uruguait pranë Selisë së Shenjtë
(30.6.06 RV)Vlerësimi
i familjes, mbrojtja e jetës njerëzore, ndihma që Kisha duhet t’u japë të varfërve
e në mënyrë të veçantë emigrantëve - ishin tri temat kryesore që preku Papa në fjalimin
drejtuar Mario Kajota Huan Bosko Xapetinit, ambasador i ri i Uruguait pranë Selisë
Apostolike. “Vlerat më të larta, të rrënjosura në zemrat e njerëzve, janë si shpirti
i popujve”. Kështu Benedikti XVI vuri theksin mbi rëndësinë e këtyre vlerave të padiskutueshme
si jeta dhe familja, bazë e zhvillimit të plotë të dinjitetit të njeriut. Papa shprehu
shqetësimin e tij edhe për disa prirje, që përpiqen ta kufizojnë vlerën e paprekshme
të vetë jetës njerëzore, që nga zënia deri në vdekjen e natyrshme. U ndal, pastaj,
tek kurthet që po i ngrihen martesës ndërmjet një burri e një gruaje dhe familjes.
Kisha – ripohoi Ati i Shenjtë – promovon kulturën e jetës, e jo vetëm për arsye thjeshtë
konfesionale. Me këto shqetësime të Kishës – shtoi Shenjtëria e tij- bashkohen edhe
shumë të tjerë që kanë arsye etike e racionale. Benedikti XVI shpjegoi se disa
nga mjetet e komunikimit e nxijnë ose e venë në lojë vlerën e lartë të martesës e
të familjes. E duke vepruar kështu, favorizojnë egoizmin e çorientimin, në vend të
bujarisë e të flijimit, që janë të nevojshme për ta ruajtur këtë qelizë të dorës së
parë të bashkësisë njerëzore. Prandaj ripohoi se familja duhet ndihmuar për t’i kryer
detyrat e veta të domosdoshme. Nga ana tjetër, vërejti se duhen respektuar të drejtat
e familjes e se nuk mund të barazohen me të drejtat që pretendojnë format e tjera
të bashkimit, të cilat duan t’ia zenë vendin. Më pas Papa preku edhe problemin
e varfërisë. Procesi i globalizmit – nëvizoi Ati i Shenjtë – ka krijuar mundësi të
reja, por edhe rreziqe të reja, që duhen përballuar nga të gjitha kombet së bashku.
Posaçërisht qeveritë duhet t’i respektojnë të drejtat e njeriut e sidomos, të drejtat
e emigrantëve, që detyrohen të lënë vatrat e tyre, në kërkim të një jete më të mirë.
Në rrethana të tilla – përfundoi Shenjtëria e Tij – Kisha e konsideron ushtrimin e
bamirësisë si një përmasë themelore të misionit të saj. Prandaj Kisha bashkëpunon
me institucione të ndryshme publike, në mënyrë që njerëzve, të cilët kërkojnë ndihmë,
mos t’u mungojë kurrë një dorë mike, që shtrihet drejt tyre për t’i ndihmuar në kapërcimin
e vështirësive. Ambasadori i ri Uruguait pranë Selisë së Shenjtë, Mario Huan Bosko
Kajota Xapetini ka lindur në vitin 1936 në Montevideo. Është burrë i martuar me pesë
fëmijë, i diplomuar në filozofi. Aktualisht është kryetar i Partisë Demokristiane
dhe drejtor i “Qëndrës Françeskane të Dokumentimit Historik” për Amerikën Latine.
Ka qenë edhe Ministër i Urdhërit Françeskan Shekullar të Uruguait.