2006-06-30 17:26:07

Tregtia e paligjshme e armëve të lehta është kërcënim për paqen dhe për zhvillimin e popujve - theksoi kryeipeshkvi Çelestino Miliore në OKB


(30.6.2006 RV)Imzot Çelestino Miliore, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Nju Jork, foli këto ditë në asamblenë e 60-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila shqyrtoi progresin që është bërë për vënien në jetë të programit të veprimit për çrrënjosjen e tregtisë ilegale të armëve të lehta.
Selia e Shenjtë kërkon përpjekje të përbashkët jo vetëm për të luftuar trafikun e paligjshëm të armëve, por edhe veprimtaritë që lidhen me to, si terrorizmin dhe krimin e organizuar. Këtë theksoi imzot Miliore në Pallatin e Qelqit, duke shtuar se armët nuk mund të konsiderohen si mallra të zakonshme tregu. E kjo, sepse ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet armëve dhe ushtrimit të dhunës, armëve dhe shkatërrimit. Prelati, duke folur në emër të Selisë së Shenjtë, e mbështeti Programin e veprimit për çrrënjosjen e një plage të tillë si dhe Deklaratën e Gjenevës mbi dhunën e armatosur dhe zhvillimin, adoptuar më 7 qershorin e kaluar me impenjimin e 42 vendeve, që u zotuan të bëjnë kontrolle më të thelluara mbi tregun e armëve.
Imzot Miliore shtoi më pas se bashkësia ndërkombëtare duhet të shfrytëzojë rastin për të rinjohur lidhjen që ekziston ndërmjet çarmatosjes, zhvillimit dhe çështjeve humanitare. Prej këndej, ftesa drejtuar qeverive që të impenjohen në programe e strategji, të cilat kufizojnë kërkesat për armë. Ky treg ka një ndikim shkandullues mbi njerëzit më të ligësht e sidomos mbi fëmijët. Prelati u ndalua pikërisht tek fëmijët, viktimat e para të konflikteve. Selia e Shenjtë – deklaroi përfaqësuesi i Vatikanit – e ka shumë për zemër mbrojtjen e fëmijëve të tronditur nga luftërat dhe e quan detyrë themelore ri-integrimin e fëmijëve-ushtarë në shoqëri si dhe bashkimin me familjet e tyre.
Do të ishte e nevojshme- shtoi prelati- të mendohej për një mjet ligjor lidhur me kontrollin e trafikut të armëve të lehta, bazuar mbi parimet kryesore të ligjit ndërkombëtar, siç janë të drejtat njeriut dhe e drejta humanitare. Në këto rrethana – përfundoi Imzot Miliore – Selia e Shenjtë mbështet propozimin e qeverisë britanike mbi transferimet e armëve konvencionale.
Kujtojmë se këto ditë në Romë, Fushata për Kontrollin e Armëve, ka paraqitur dy dosje mbi tregtinë e armëve të lehta. Ndër dosje pasqyrohen shifrat që kanë të bëjnë me sasinë e armëve të tregtuara, me tipologjinë dhe qarkullimin marramendës të parave në tregun e armëve. Këto armë njihen me emrin “civile”, sepse do të duhej të përdoreshin për sport ose për mbrojtje personale, por pastaj përdoren ndër konflikte.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.