2006-06-30 20:33:06

Liturgjia e Fjalë së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit “B”
Zoti ynë është një Zot dashurues i jetës. Jo pronar e sundues, por një i dashuruar i jetës.


RealAudioMP3 (1.7.06.RV)Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 13-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na fton të reflektojmë mbi kufizimet e jetës njerëzore dhe mbi përvojën e takimit tonë me Krishtin e me fjalën e tij si burim jete: “Fjalët tua, o Zot, janë shpirt e jetë”, ky pohim mund të jetë tema e përmbledhja e kremtimit të Fjalës së Zotit të dielës së 13-të .
Leximet biblike të Meshës së dieles kësaj herët përqendrohet mbi kuptimin e jetës, e këndej të vdekjes, për çka sot ndjehet një munges e madhe reflektimi. Pra Leximi i parë nga Libri i Urtisë (Urt 1,13-15; 2, 23-24) flet mbi pavdekshmërinë e pjesa e Ungjillit mbi ringjalljen (Ungjilli Mk 5,21-43), leximi i dytë nga Letra e dytë e Shën Palit drejtuar Korintianëve (2Kor 8,7.9.13-15) flet mbi solidaritetin , bujarinë e bashkëndarjen vëllazërore të të mirave materiale me të varfërit, që bëhet shenjë shembullore e dalluese e jetës kishtare .
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi dëftohet si Zotëria i jetës pasi që ka pushtetin për ta falur përsëri jetën e për ta përforcuar. “Shenjat” që ai bën janë paralajmërim i ringjalljes së ardhshme, pjesëmarrja në jetën e të Ngjallurit, premtuar të gjithë atyre që besojnë në të.
Jezusi, duke shikuar plot përdëllim sëmundjen dhe vdekjen e njeriut, përmes shenjës që paralajmëron ngjalljen e tij dhe ringjalljen tonë, Ai dëftohet e tregohet si Zotëria i jetës.
Ashtu sikur Jezusi, edhe ne duhet t’i japim dorën të gjithë atyre që gjendën në situata vështirësie, ligështie, dhimbjeje apo vdekjeje, për ti ndihmuar e ndërtuar së bashku një jetë dhe botë të re.
Leximi i parë marrë nga Libri i Urtisë pohon se “Vdekja hyri në botë prej smirës së djallit” .Njeriu mëkatar e bën përvojën e vdekjes. Por Zoti nuk heq dorë nga projekti i tij fillestar i njeriut të krijuar për pavdekshmëri e këtë e realizon duke dërguar Birin e vet, i cili përmes vdekjes i dhuron jetën të gjithë atyre që besojnë në të.
Psalmisti këtë të diele klithë: “Të madhëroj, o Zot, pse më lirove” . Psalmi (Ps 30 (29) është një këngë falenderimi e mirënjohjeje për shpëtimin, të cilit i referohet në shumë mënyra e në forma të ndryshme, antitezë vdekje-jetë. Psalmisti i përkujton Zotit se mund ta lavdëroj e madhëroj vetëm nëse kthehet në jetë, pra vetëm nëse Zoti e mban atë në jetë.
Leximi i dytë pohon :”Cka ju keni më tepër, me begati, të plotësojë atë çka të varfëve u mungon” . Shkëmbimi i të mirave në bashkësi e ndërmjet bashkësive të ndryshme bëhet shenjë vëllazërimi e bashkimi në fenë e Jezusit Zot. Kështu realizohet vullneti i Zoti që në provaninë e tij, me bujari i ka shpërndarë të mirat e veta hyjnore në botën e gjithësinë që ka krijuar, në mënyrë që të gjithë të kenë bukën dhe ushqimin e domosodshëm për jetesë. Mos t’u japësh vëllezërve e të afërmve të tu atë çka ke më tepër, është në kundërshtim me vullnetin e Zotit.
Pjesa Ungjillore nga Marku na tregon për dy mrekullira. Jezusi e shëron gruan që vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe ringjall vazjën e kryetarit të singagogës. Kështu Ai dëftohet se është Zotëria i jetës e se fati i jetës sonë njerëzore është në dorën e tij Hyjnore. Të dy mrekullitë kanë një element të përbashkët që vlen edhe për ne: fenë në Krishtin Zot.
I thirrur të shkruante një kujtim, me rastin e kushteve të përjetshme rregulltare, i lumi Giacinto Cormier o.p. shënoi këtë fjali: “ Kryqi pa Jezusin? Do të ishte i padurueshëm. Jezusi pa kryq? Do të ishte i pakuptueshëm. Jezusi e kryqi të përqafuar (pranuar) në fe: kjo është zgjidhja e çdo gjëje”.
E tani ti dëgjojmë së bashku leximet biblike e ta pranojmë porosinë që Zoti na drejton këtë javë.








All the contents on this site are copyrighted ©.