2006-06-29 16:05:48

Papa: “Me 30 nëntor do të jem në Turqi te Bartolomeu I.”


Benedikti XVI konfirmoi sot vullnetin e tij për të shkuar në Stamboll me 30 nëntor, ditën e Shën Andreut, për t’u takuar me patrikun ekumenik Bartolemeun I. “Shpresoj - tha Ati i Shenjtë duke pritur në audiencë delegacionin e dërguar sot në Vatikan nga vetë patriku për festën e Shën Pjetrit e Shën Palit – të mund të realizoj një shtegtim apostolik në Turqi, vend i lashtë dhe me kulturë të pasur, vend fisnik në të cilin jetuan shumë etër të shenjtë të traditës sonë kishtare, teologjike dhe shpirtërore.” Udhëtimi u caktua, saktësoi Papa “në përgjigje të ftesës së hartuar nga autoritetet e vendit, të patriarkanës dhe nga bashkësia katolike lokale.” “Kjo do të më lejojë – shpjegoi Papa — të marr pjesë në kremtimet me rastin e festës së Shën Andreut Apostull, vëlla i Pjetrit. Duke përsëritur gjestin e Paraardhësve të mi të nderuar, të Palit VI dhe të Gjon Palit II, në rastin e vizitës së tyre në Fanar, për mua do të jetë një gëzim të takohem me shenjtërinë e tij Bartolomeun I, duke i kthyer kësisoj vizitat që ai pati mirësinë të kryejë këtu në Romë”.
Urimi i Papës është që “ky shkëmbim reciprok të forcojë vëllazërimin kishtar dhe të lehtësojë bashkëpunimin në nismat tona të përbashkëta.”
Pastaj Papa i drejtoi metropolitit Joanis dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit përshëndetjen e Shën Pjetrit: “Hiri e paqja ju qofshin dhënë juve me bollëk në të njohurit e Atit dhe Jezusit, Zotit tonë.”







All the contents on this site are copyrighted ©.