2006-06-29 15:19:08

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot – ripohimi i Papës se Pjetri e pasardhësit e tij janë në shërbim të unitetit të Popullit të Zotit


(29.6.06.R.V.)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, mbajtur pas Meshës solemne, duke përshëndetur përsëri delegacionin e dërguar nga Patriku Ekumenik i Kostantinopojës, Bartolomeu I për festën e Apostujve Pjetër e Pal, Benedikti XVI iu lut Zotit për dhuratën e bashkimit të plotë të kishave të krishtera. Prania e delegacionit ekumenik – shtoi Papa – e bën edhe më të madh gëzimin tonë. T’i lutemi Virgjërës Mari, Mbretëreshës së Apostujve – vijoi Ati i Shenjtë – që me ndihmën e saj e duke ecur në gjurmët e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Kisha që është në Romë dhe gjithë populli i Zotit, t’i japin botës dëshminë e bashkimit e të përkushtimit të guximshëm në shërbim të Ungjillit të Krishtit.
Në fjalimin e shkurtër, që i parapriu lutjes mariane, Ati i Shenjtë kujtoi edhe se martirizimi i Shenjtorëve Pjetër e Pal konsiderohet si akt i mirëfilltë i lindjes të Kishës së Romës.
“Të dy Apostujt – vijoi Benedikti XVI - dhanë dëshminë e tyre më të lartë pothuajse në të njëjtën kohë e në dy vende fare pranë njëri-tjetrit. Shën Pjetri u kryqëzua këtu, në Romë, e po në Romë iu pre koka edhe Shën Palit. Gjaku i tyre u derdh gati njëherësh, duke u bashkuar simbolikisht në një dëshmi të vetme për Krishtin”.
E kjo e shtyu Shën Ireneun, ipeshkvin e Lionit, në gjysmën e shekullit të dytë, të fliste për Kishën e themeluar në Romë nga dy apostujt e lavdishëm, Pjetri e Pali, ndërsa në Afrikën veriore Tertuliani brohoriste: “Sa e lume është Kisha e Romës! Ishin vetë apotuj që derdhën në të, me gjakun e tyre, krejt doktrinën”.
E pikërisht për këtë arsye - shpjegoi Papa – pasardhësi i Shën Pjetrit Apostull kryen një mision të posaçëm në shërbim të unitetit doktrinor e baritor të popullit të Zotit, të përhapur në të katër anët e botës”. Në këtë kontekst - sipas Papës - kuptohet edhe më mirë riti që u kremtua sot paradite gjatë Meshës në bazilikën e Shën Pjetrit, me dorëzimin e palios 27 kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, shprehje konkrete e bashkimit të këtyre barinjve me pasardhësin e Shën Pjetrit. Duke i përshëndetur kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë, Papa i ftoi të gjithë besimtarët të luten për ta e për kishat që u janë besuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.