Krishti ngadhënjen, edhe pse Kisha shkundullohet nga era e ideologjive: kështu u shpreh
Papa në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal
(29.6.06.R.V.)“Kisha, e në te
Krishti, vuan edhe sot, vijon të tallet e të fshikullohet me kamxhik; bëhen përsëri
përpjekje ta nxjerrin jashtë nga bota. Por pikërisht në Kishën e vuajtur ngadhënjen
Krishti, dëshira e të cilit është që nxënësit e tij, të bashkuar të pijnë së bashku
në të njëtin Kelk e të hanë së bashku Bukën që është vetë Zoti! E ne nuk duhet të
lejojmë kurrë që kjo fe të heshtë; duhet t’i japim gjithnjë guxim të ri, edhe përballë
Kryqit e të gjitha kundërshtive të botës. Këtë theksoi Benedikti XVI në solemnitetin
e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, pajtorë të Qytetit të Amshuar, që u kremtua
sot në Romë. Kremtimin eukaristik solemn në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan
e udhëhoqi Papa Benedikti XVI, në bashkëkremtim me një numër të madh kardinajsh, ipeshkvijsh
e meshtarësh. Në homelinë e rastit Ati i Shenjtë, duke u bazuar mbi tre episode
ungjillore, shkëputur nga Ungjilli i Shën Mateut, i Shën Lukës dhe i Shën Gjonit,
vuri theksin mbi misionin që Krishti i besoi Shën Pjetrit për t’i prirë Kishës në
udhët e botës. Në Ungjillin e Shën Mateut – kujtoi Papa - pasi Shën Pjetri e njeh
Krishtin si Mesi, Zoti i beson detyrën e tij të posaçme përmes tre simboleve: shkëmbit,
që bëhet guri i themelit, çelësave dhe misionit për të lidhur e për të zgjidhur. Pa
u ndalur në komentin e këtyre figurave, të cilat Kisha i ka kujtuar në mënyrë gjithnjë
të re në rrjedhë shekujsh, Ati i Shenjtë foli kryesisht për mjedisin gjeografik dhe
rrethanat historike në të cilat u thanë këto fjalë. Premtimi bëhet pranë gurrave të
Jordanit, në kufijtë e tokës judaike, ku fillojnë trojet e paganëve. Çasti i premtimit
shënon një kthesë vendimtare në misionin e Jezusit: tani Zoti ecën drejt Jeruzalemit,
drejt Qytetit Shenjt, drejt Kryqit. Jeruzalemi e Kryqi lidhen në mënyrë të pazgjidhshme
dhe tregojnë vendin shpirtëror të parisë, të vetë Kishës: Krishti vijon të ecë drejt
Kryqit, drejt poshtërimit të Shërbëtorit të Zotit të vuajtur e të mbytur, por njëkohësisht
është gjithnjë për udhë drejt hapësirës pa fund të botës, për ku na prin si i Ngjallur,
që në botë të ndrisë drita e Fjalës së tij dhe prania e dashurisë së tij; është për
udhë, që përmes tij, Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur, të vijë në botë vetë Hyji!
Kështu u shpreh Ati i Shenjtë, dhe shtoi: - Për Kishën e Premtja e Madhe dhe Pashkët
janë gjithnjë bashkë. “Kisha, e në te Krishti, vuan edhe sot. Në të Krishti
vijon të tallet e të fshikullohet me kamxhik; bëhen përsëri përpjekje ta nxjerrin
jashtë nga bota. E përsëri barka e vogël e Kishës shkundullohet nga era e ideologjive
të cilat, me ujërat e tyre, depërtojnë në të e duket sikur do ta fundosin. Por pikërisht
në Kishën e vuajtur ngadhënjen Krishti. Pavarësisht nga të gjitha, besimi në Të vijon
të marrë përsëri e përsëri forcë të re. Edhe sot Zoti u jep urdhër ujërave e mbetet
Zot i elementeve. Ai është përsëri në barkën e tij, në barkën e Kishës”. Këtë
theksoi Papa e më pas shpjegoi se edhe ministeri i Pjetrit nga njëra anë na zbulon
ligështinë e njeriut, por gjithnjë së bashku me forcën e Zotit. Simbolin e dytë
për të theksuar parinë besuar Shën Pjertit - tha Benedikti XVI e gjejmë në Ungjillin
e Shën Lukës e pikërisht në skenën e Darkës së Mbrame kur, pasi themelon Eukaristinë,
dmth vetë Kishën, Krishti i kujton Pjetrit se shejtani i ka kërkuar Zotit t’i shoshitë
nxënësit e tij, ashtu si shoshitet gruri e se ai vijon veprën e vet në botë. Në ketë
mënyrë tunduesi i Zotit e i njeriut dëshiron të provojë se feja e vërtetë nuk ekziston
e se njeriu synon gjithnjë vetëm përfitimin vetjak. E ne – nënvizoi Papa – na duket
se Zoti nganjëherë i jep pak si tepër liri shejtanit; se i jep lejën të na trondisë
tmerrësisht e se kjo troshtitje i kapërcen forcat tona e na dërmon. E atëherë ngremë
përsëri zërin kah Zoti e i lutemi ta shikojë mjerimin e nxënësve të vet e të na mbrojë.
E Jezusi – pohoi Ati i Shenjtë - vijon të na japë përgjigjen që i pati dhënë Pjetrit:
“Jam lutur për ty, që feja jote të mos mungojë!”. Kjo lutje e Jezusit është njëkohësisht
premtim e detyrë. “Nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo fe të heshtë; duhet t’i
japim gjithnjë guxim të ri, edhe përballë Kryqit e të gjitha kundërshtive të botës:
e kjo është detyra e Pjetrit. Prandaj Zoti nuk lutet vetëm për fenë personale të Pjetrit,
por për fenë e tij si shërbim ndaj të tjetrëve – shpjegoi Papa - e në vijim nënvizoi
se Kisha është bashkim eukaristik, dmth bashkim në Korpin e Zotit. Detyra e Pjetrit
është t’i prijë këtij bashkimi universal e ta bëjë gjithnjë të pranishëm në botë edhe
si bashkim i dukshëm”. Më pas Benedikti XVI u ndal tek simboli i tretë, që
gjindet në Ungjillin e Shën Gjonit. Zoti është ngjallur e si i Ngjallur, ia beson
Pjetrit grigjën e vet. Edhe këtu Kryqi është i pandashëm nga Ringjallja. Zoti e
paralajmëron Apostullin se po shkon drejt kryqit. E – theksoi me forcë Papa duke
treguar bazilikën më madhështore të krishterimit, plot me besimtarë, stolisur për
festë – “…në këtë bazilikë, lartuar mbi varrin e Shën Pjetrit – një varr varfanjakësh
– shohim qartë sesi Zoti fiton gjithmonë, e pikërisht përmes Kryqit. Pushteti i tij
nuk është pushtet i kësaj bote. Është pushteti i së mirës, i vërtetësisë dhe i dashurisë.
E dashuria është gjithnjë më e fortë edhe se vetë vdekja. Po, është i vërtetë premtimi
tij: pushteti i vdekjes, portat e skëterrës nuk do të ngadhënjejnë kurrë kundër Kishës,
që Krishti e themeloi mbi Shkëmbin, mbi Pjetrin e që Ai vetë vijon ta themelojë personalisht”. Në
vijim Ati i Shenjtë përshëndeti 27 Kryeipeshkvijtë metropolitë, të cilëve pas pak
do t'u dorëzonte palion, shenjë e lidhjes së ngushtë me Selinë e Shën Pjetrit si dhe
delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës, udhëhequr nga Hirësia e
Tij Joanis Zizioulas, metropolit i Pergamos, njeri nga dy kryetarët e Komisionit të
përbashkët ndërkombëtar të dialogut ndërmjet Kishës ortodokse e Kishës katolike. Benedikti
XVI i shprehu mirënjohjen Patrikut Ekumenik, Bartolomeut I dhe Sinodit të Shenjtë,
për këtë shenjë të vëllazërisë. E një prani e tillë e bën edhe më të qartë dëshirën
dhe impenjimin për të ecur me ritme më të shpejta në rrugën drejt bashkimit të plotë
që Krishti e ka kërkuar për të gjithë nxënësit e tij. Benedikti XVI kujtoi dëshirën
e shprehur nga Patriku Atenagora dhe nga Papa Pali VI “….për të pirë së bashku
në të njëtin kelk e për të ngrënë së bashku Bukën, që është vetë Zoti!”. Duke
falënderuar Zotin që të krishterët janë të bashkuar në pohimin “Ti je Krishti, Biri
i Hyjit të gjallë”, që pati bërë Pjetri në Çezare të Filipit, në emër të të gjithë
nxënësve, në përfundim të homelisë Papa theksoi me forcë: “Këtë pohim duam t’ia kumtojmë
edhe ne së bashku botës së sotme. Na ndihmoftë Zoti të jemi, pikërisht në këtë orë
të historisë sonë, dëshmitarë të vërtetë të mundimeve të Krishtit e pjesëtarë të lumnisë
së ardhshme. Në Meshën Shenjte të Solemnitetit ishte i pranishëm një delegacion
i Patriarkanës ekumenike të Kostantinopojës, në shkëmbim të vizitës që bën çdo vit
përfaqësia e Selisë së Shenjtë në Stamboll më 30 nëntor, në solemnitetin e Shëna Ndreut.
Sivjet delegacionin e dërguar në festë nga Patriku ekumenik i Kostantinopojës, Bartolomeu
I, e kryesoi Hirësia e Tij Metropoliti Joanis Zizioulas, i shoqëruar nga peshkopi
i Kalistos, arkimandriti Dyonisios. Gjatë kremtimit Shenjtëria e Tij u dorëzoi palion
27 kryeipeshkvijve metropolitë nga vise të ndryshme të botës.