2006-06-28 17:31:58

Nuk mund të jesh i krishterë me fjalë, por me vepra të mira: në audiencën e përgjithshme Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin Jakut të vogël Apostull


RealAudioMP3 (28.6.2006 RV)"Feja pa vepra është e vdekur në vetvete, prandaj nuk duhet të shprehet kurrë në mënyrë abstrakte". Kështu e përmblodhi Benedikti XVI Letrën e shkruar nga njeri prej Apostujve, Jakobi, që njihet me emrin “i vogli”, figurës të të cilit Papa i kushtoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme. Ashtu si të mërkurën e kaluar, Benedikti XVI nuk e zgjati shumë katekizmin, duke pasur parasysh se shtegtarët dhe besimtarët e ndiqnin nga Sheshi i Shën Pjetrit nën një diell përvëlues.
Letra e Shën Jakobit zë vendin e parë ndërmjet atyre që njihen me emrin “Letrat katolike”, të cilat nuk i drejtohen ndonjë bashkësie të veçantë të lashtësisë, por të gjithave në përgjithësi. Autorin e këtyre letrave, Shën Jakobin, Shën Pali e quajti “shtyllë” të Kishës së kohëve të para të krishterimit. Jakobi i vogël ishte e mbetet edhe sot mësues jete për të krishterët. U njoh me epitetin “i vogli” për ta dalluar nga Shën Jakobi Apostull, i biri i Xebedeut e vëllau i Shën Gjonit.
Në ciklin kushtuar nxënësve të Krishtit, Benedikti XVI u ndalua sot tek pjesët historike dhe tek roli i dorës së parë që luajti Jakobi i vogël – figura e katërt që vë Papa në qëndër të katekizmit – në Kishën e Jeruzalemit e posaçërisht në Koncilin e njohur, gjatë të cilit apostulli pohoi se paganët mund të pranoheshin në bashkësinë e krishterë edhe pa iu nënshtruar rrethprerjes, por vetëm duke respektuar disa norma të ligjit mozaik. E me një qëndrim i tillë – shpjegoi Papa – nga njëra anë njohu fenë hebraike si burim përherë i gjallë e i vlefshëm i krishterimit, ndërsa nga ana tjetër i lejoi paganët e kthyer në fenë e krishterë të ruanin identitetin e tyre shoqëror.
Por mbi të gjitha, kjo letër është e vetmja që mban emnrin e Jakobit e që ka arritur deri tek ne, të krishterët e shekullit 21-të, si një mësim që u përket të gjitha kohërave:
“Pasuria më e madhe që na ka lënë Shën Jakobi, është letra me emrin e tij. Është një shkrim tepër i rëndësishëm, që thekson fuqimisht se feja nuk duhet të kufizohet në një deklaratë të bërë me fjalë të thata, abstrakte, por duhet të shprehet konkretisht me vepra të mira”.
Bëhet fjalë, pra, për një krishtërim konkret e praktik – vijoi Benedikti XVI - e jo për një deklaratë me fjalë boshe; për atë krishterim me vlera të larta, që i ka rrënjët në Kryqin e Krishtit:
“Shën Jakobi në këtë letër na fton t’i pranojmë me gjithë zemër provat që na çon Zoti e të lutemi plot besim për të nxjerrë nga Hyji dhuratën e dijes, në saje të së cilës arrijmë të kuptojmë se vlerat e vërteta nuk duhen kërkuar në pasuritë kalimtare, por në ndarjen e pasjes me të varfërit e nevojtarët”.
Së fundi, tha Papa, Letra e Jakobit na nxit ta lëshojmë gjithë vetveten në dorë të Zotit; në dorë të Tij ta lemë gjithçka bëjmë, duke shqiptuar përherë fjalët: “Në dashtë Zoti!”.
Kështu ai na mëson të mos pretendojmë ta planifikojmë jetën sipas dëshirave ose interesave tona, por sipas vullnetit të pashqyrtueshëm të Hyjit. Prandaj Shën Jakobi mbetet një mësues jete gjithnjë aktual për secilin nga ne”.
Pas sintezës së katekizmit, shqiptuar në nëntë gjuhë, Benedikti XVI përshëndeti, si zakonisht, grupet e shtegtarëve. Të shumta ishin sot kongregatat rregulltare të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërmjet të cilave Etërit Verbitë dhe Motrat Françeskane Imakolatine, që po zhvillojnë kapitujt e tyre të përgjithshëm. Përveç tyre, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme edhe përfaqësuesve të Apostullimit të Uratës si dhe anëtarëve të familjes Orionine, organizatore e Festës tradicionale kushtuar Shenjtërisë së Tij.
Miq të dashur, ju falënderoj për praninë tuaj dhe për dashurinë që dëshironi t’i shprehni, me këtë nismë, Pasardhësit të Shën Pjetrit. Vijoni ta ndiqni besnikërisht themeluesin tuaj dhe dëshmojeni Ungjillin e jetës përmes çdo institucioni e çdo veprimtarie, duke u shërbyer posaçërisht njerëzve të ligësht e të vuajtur e duke kujtuar – siç thoshte Don Orioni - se në më të mjerin ndërmjet vëllezërve shkëlqen fytyra e Zotit”.
Duke përfunduar, pastaj, me përshëndetjen drejtuar të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve, Benedikti XVI i ftoi të rinjtë të përfitojnë nga periudha e pushimeve verore për të jetuar një përvojë të re shoqërore e fetare. Të sapomartuarit i këshilloi ta thellojnë misionin e tyre në Kishë e në shoqëri, ndërsa të sëmurëve u uroi që të mos u mungojë kurrë gjatë kësaj periudhe verore, prania e të afërmeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.