2006-06-28 18:32:21

Lajme shoqërore-politike: 28 qershor


(28.6.2006 R.V.)Të holla, shtëpi dhe makinë. Këto janë shpërblimet për ata që martohen me, dhe kthejnë në fenë myslimane, indigjenët në Malajzi. Ligji i ri malajzian i shtetit Kelantan, në veri të vendit, vlerësohet nga shumë organizata si antidemokratik sepse shkel të drejtat themelore të njeriut. Ndërsa për politikanët islamikë kjo është vetëm një mënyrë për të ndihmuar çiftet e reja.


Në Portugali lindi e para kafe e krishterë, një bar ku mund të shijohet jo vetëm kafja, pijet freskuese dhe mund të dëgjohet muzikë, por ku ka edhe një kapelë, mund të shfletosh Biblën e madje edhe një rrëfyestore.


Sulmet e vazhdueshme në Darfur pengojnë orvatjet për ndihma humanitare. Megjithëse njëra nga tri palët ndërluftuese nënshkroi traktatin e paqesë, dy të tjerat vijojnë sulmet dhe plaçkitjet. Lajmi u dha nga Atë Bryan Pippins i qendrës së Shërbimeve të Jezuitëve për Refugjatët.


Vijon ofensiva e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës. Trupat e këmbësorisë të mbështetura nga tanket dhe helikopterët sulmuan militantët e Hamasit me qëllim që të lirojnë ushtarin e marrë peng nga ekstremistët të dielën. Ndërkaq Al Fatahu dhe Hamasi arritën një marrëveshje për të ashtuquajturin “dokument i të burgosurve”, i cili nënkupton edhe njohjen e shtetit hebraik.


U arrestua në Irak personi i dyshuar si përgjegjës për atentatin e shkurtit të kaluar në mauzoleumin e Samarrës, në veri të Bagdadit, atentat i cili shkaktoi një valë dhune. Lajmi u bë i njohur nga këshilltari për sigurinë kombëtare, i cili shtoi se i ndaluari është një ekstremist islamik tunizin.


Vizitë e shkurtër në Kabul e sekretares së shtetit amerikan Kondoliza Rajs. Gjatë takimeve me presidentin Karzai dhe udhëheqësat ushtarakë, Rajs përsëriti se angazhimi kryesor i amerikanëve në Afganistan është asgjësimi i Al Kaedës dhe i talebanëve. Presidenti Karzai nga ana e tij, theksoi përparimet që janë bërë por edhe problemet si droga dhe korrupsioni.


Ndoshta javën e ardhshme në Teheran do të mbahet takimi i shumëpritur ndërmjet përfaqësuesit të lartë të BE-ian për politikën e jashtme, Havier Solana dhe kreut të negociatorëve iranianë për çështjen bërthamore, Ali Larixhani.


Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica vizitoi sot, në ditën e betejës së Fushë-Kosovës të vitit 1389, Graçanicën. Në fjalën e tij Koshtunica nënvizoi se Kosova do të jetë gjithmonë pjesë e Serbisë dhe se Beogradi nuk do ta pranojë kurrë shkëputjen e saj. Ndërsa serbët e Kosovës e duartrokitën, shqiptarët manifestuan kundër vizitës së Koshtunicës.


Në Tiranë doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim “Çeta e Profetëve” e Pjetër Bogdanit. Ribotimi është një studim kritik i pajisur me shënjime, gjë që tregon për vlerat që paraqet dhe interesin që ende sot zgjon tek studiuesit kjo vepër fetare e vitit 1685. Autorja është studiuesja Anila Omari.







All the contents on this site are copyrighted ©.