2006-06-27 17:33:15

Predikimi i Shën Palit është një realitet që ia ndryshon njeriut jetën: kështu u tha në hapje të Simpoziumit X kushtuar Apostullit të Popujve


(27.6.2006 RV)Predikimi i Shën Palit është një realitet që ia ndryshon njeriut jetën, i krijon një mendësi të re, e nxit të ballafaqohet e të dialogojë: theksoi vikari apostolik i Anatolisë, Luigji Padoveze, në fjalimin me të cilin hapi punimet e Simpoziumit X kushtuar Apostullit të Popujve, që po mbahet këto ditë në Tars, vendlindje e Shenjtit.
Në Tars të Turqisë vijojnë punimet e Simpoziumit X kushtuar Shën Palit, organizuar nga Instituti Françeskan i Përshpirtërisë të Universitetit Antonianum të Romës me temë “Pali ndërmjet Tarsit e Antiokisë: arkeologji, histori e fe”. Para se të fillonin diskutimet, u kremtua një Meshë shenjte në kishën e Shën Palit, kryesuar nga imzot Luigji Padoveze, vikar apostolik i Anatolisë. Prelati nënvizoi se feja e Shën Palit është një realitet që e ndryshon jetën e njeriut.
Në punimet e Simpoziumit, pas një vështrimi të shpejtë panoramik mbi Cilicinë para e pas Shën Palit, diskutuesit u përqëndruan kryesisht mbi dy argumente shumë interesante: mbi veprimtarinë e Palit në bashkësitë e para të krishtera dhe mbi figurën e Apostullit si predikatar i Lumnive. Duke folur mbi veprimtarinë e palodhshme të Apostullit, u vu në dukje se Pali u përpoq më shumë se të gjithë apostujt për kumtimin e Ungjillit, siç e pohon edhe ai vetë në letrën drejtuar Korintianëve, e kryesisht sepse predikoi ndërmjet paganëve, të cilëve predikimet e tij u dukeshin të vështira e të pakuptueshme. Ndërsa ata që mund ta kuptonin, dmth judejtë, u drejtoheshin apostujve të tjerë.
Një reflektim i posaçëm u bë mbi Lumnitë e të pagëzuarve e të atyre që pasurojnë shpirtin me dijen e Krishtit.
Simpoziumi do të përfundojë më 29 qershor në Antioki, me një kremtim ekumenik në shpellën e Shën Pjetrit me rastin e bajramit të Shën Palit, fjalë turke që do të thotë festa e Shenjtit, të cilin e respektojnë besimtarët e të gjitha konfesioneve fetare që banojnë në këtë qytet.







All the contents on this site are copyrighted ©.