(27.6.2006 R.V.)Shërbimet sekrete
izraelite njoftuan se ushtari Xhilad Shalid, rrëmbyer nga palestinezët të dielën
e shkuar në Rripin e Gazës, është në duart e grupit ekstremist të Hamasit dhe se ministri
i jashtëm dhe kryeministri palestinez po ndërmjetësojnë për lirimin e tij. Gjithashtu
qeveria izraelite lajmëroi se nuk ka ndërmend të bisedojë me terroristët. Trupat izraelite
janë grumbulluar përgjatë kufirit me Rripin e Gazës dhe pritet të sulmojnë militantët
e Hamasit.
Me 22 gusht do të hapet procesi i dytë gjyqësor në ngarkim të
të pandehurit Sadam Hysein për genocidin kundër kurdëve gjatë fushatës së Anfalit
në vitet ‘80. Vendimi u njoftua nga Gjykata e Lartë e Irakut ndërkohë që dhuna në
vend vijon. Në Kirkuk, në veri, një bombë shkaktoi vdekjen e së paku 3 personave.
Ndërsa numri i të vrarëve nga guerrilasit në Bakubë arriti në 22.
Dy ushtarë
britanikë, katër afganas dhe 29 talebanë mbetën të vrarë në Afganistan në luftimet
ndërmjet forcave ndërkombëtare dhe terroristëve talebanë. Kështu njoftuan sot paradite
autoritetet amerikane dhe ato afgane. Operacionet për spastrimin e talebanëve vazhdojnë.
Asamblea
parlamentare e Këshillit të Evropës që po mbahet në Strasburg por shqyrton çështjen
e fluturimeve sekrete të CIA-s, bazat dhe destinacionet e aeroplanëve që transportonin
terroristë islamikë. Në të paktën 10 raste janë vënë re shkeljet e të drejtave të
njeriut. Gjatë asamblesë është vënë në dukje fakti se SHBA-ë kanë arritur të kryejnë
gjithë këto fluturime vetëm me mbështetjen e disa vendeve evropiane.
“Negociatat
me Amerikën për ne nuk sjellin asnjë përfitim dhe ne nuk kemi nevojë për këto lloj
bisedimesh”. Kështu u shpreh për televizionin shtetëror iranian Ajatollah Khamenei,
udhëheqësi i revolucionit islamik në Iran. Më pas Khamenei vijoi duke thënë se iranianët
nuk do të negociojnë të drejtën e tyre për të përdorur energji bërthamore.
Pas
takimit të sotëm në Tiranë ndërmjet presidentit të Shqipërisë Alfred Moisiut dhe atij
të Kosovës Fatmir Sejdiut në konferencën e dhënë për shtyp presidenti Moisiu u shpreh
se Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë për pavarësinë e plotë të Kosovës.
“Një Kosovë e pavarur siguron një zhvillim paqësor në rajonin tonë” tha përpara gazetarëve
presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu.”
Përfaqësuesit e vendeve të Grupit
të Kontaktit për Kosovën deklaruan se qeveria dhe autoritetet vendore në Kosovë kanë
bërë shumë në drejtim të përmbushjes së 13 pikave të caktuara në maj nga ky grup për
rritjen e demokracisë dhe të trajtimit të barabartë të pakicave kombëtare në Kosovë.