2006-06-26 17:27:09

Nunci i ri apostolik në Izrael, imzot Antonio Franko, paraqiti sot paradite letrat kredenciale


(26.6.2006 R.V.)Nunci i ri apostolik në Izrael, imzot Antonio Franko, 69 vjeç, nga qyteti Benevento i Italisë, ish-nunc në Filipine, u emërua në janarin e kaluar nga Benedikti XVI nunc apostolik në Izrael e në Qipro dhe delegat apostolik në Jeruzalem e në Palestinë. Në detyrën e re zë vendin e Imzot Pietro Sambit, emëruar nga Papa nunc apostolik në Uashington. Por, mbi bisedimet që pati sot me presidentin izraelit, ta dëgjojmë vetë imzot Frankon, intervistuar nga Radio Vatikani:
Përgjigje: - Gjatë bisedimit, presidenti kujtoi takimin me Atin e Shenjtë në nëntor të vitit të kaluar; kujtoi edhe ftesën që i bëri Papës për të ardhur në Jeruzalem dhe uroi që kjo vizitë të realizohet. Foli, më pas, për marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Izraelit, që janë në një nivel të kënaqshëm; tha edhe se po bëhen përpjekje e po ndërmerren impenjime të reja bashkëpunimi. Uroi, më pas, të thellohet më shumë njohja dhe vlerësimi i Deklaratës të Koncilit II të Vatikanit “Nostra Aetate” për marrëdhëniet e Kishës katolike me fetë jo kristiane. Pastaj foli për situatën këtu, për vështirësitë që kanë lindur për shkak të zgjedhjes së qeverisë të Hamasit: kemi, në përkim me këtë, një situatë emergjence. Pikërisht dje, gjatë një sulmi në Gazë, u zu rob një ushtar e na u drejtua kërkesa, brënda mundësive, të bëjmë thirrje për lirimin e tij.
Pyetje: - Dmth presidenti kërkoi ndërmjetësimin e Selisë së Shenjtë?Përgjigje: - Uroi që edhe Selia e Shenjtë të zhvillojë veprimtarinë e vet. I thashë se kisha folur me famullitarin katolik të Gazës e se edhe ne e ndjekim situatën e jemi aktivizuar për arsye humanitare. Megjithatë duhet pohuar se sot për sot, shpresat për më tepër dialog ndërmjet izraelitëve e palestinezëve janë shumë të pakta. Askush nuk është në gjendje të parashikojë ç’mund të ngjasë!







All the contents on this site are copyrighted ©.