Hapet në Nju Jork konferenca e OKB-së mbi planet për eliminimin e tregtisë ndërkombëtare
të armëve të lehta.
(26.6.2006 R.V.)Të përhapurit
e kësaj dukurie shkakton çdo vit vdekjen e 300 mijë vetëve gjatë konflikteve të armatosura
si edhe 200 mijë civilë për vrasje apo vetëvrasje. Po si mund t’i vihet kufi qarkullimit
të armëve të lehta në botë? Mbi këtë flet Fabrizio Battistelli sekretar i përgjithshëm
i organizatës “Arkivi i Çarmatimit”:
Përgjigje: Ekziston një plan i Kombeve
të Bashkuara për parapërgatitjen e një traktati që më në fund do të rregullojë këtë
treg të egër të të ashtuquajtuarave armë të lehta por krahas këtij plani ka edhe një
tjetër, jo më pak të fuqishëm, të shumë prodhuesve, për të mos lejuar që të arrihet
një farë rregullimi.
Pyetje: Nga shifrat del qartë rrezikshmëria e armëve
të lehta, shumë më tepër se e armëve bërthamore. Pse vëmendja e bashkësisë ndërkomëbtare
është përqendruar vetëm te këto të fundit?
Përgjigje: Mbase për faktin
se armët e shkatërrimit në masë janë armë virtuale dhe në të vërtetë bëjnë dëm vetëm
në planin politik dhe nuk kanë efekte në konfliktet e përditëshme dhe mbi të gjitha
nuk përfaqësojnë një treg shumë të pasur sikundër është ai i armëve të lehta, të cilat
janë ato që edhe përdoren në konfliktet reale. Sot këto kanë kapur shifrën prej 600
milionësh në krejt botën, shifër kjo e vlerësuar nga OKB-ja. Këtu prapa fshihen shumë
interesa prandaj është shumë e vështirë t’i jepet fund këtij trafiku.
Pyetje:
A ka vende që janë përgjegjëse në mënyrë të veçantë për tregtinë e armëve të kalibrit
të vogël?
Përgjigje: Pjesërisht janë vendet e industrializuara më të përparuara.
Ato klasike si SHBA-ës, Britania e Madhe, Franca dhe madje edhe Italia luajnë një
rol shumë domethënës në prodhimin e armëve të lehta. Pastaj vijnë Rusia, Kina dhe
në fund vendet e industrializimit të ri që po fillojnë të bëhen të gjalla në këtë
lloj tregu.