2006-06-23 16:18:46

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së XII gjatë vitit kishtar, ciklit “B”
( Leximet biblike nga: Jb 38,1.8-11; Kor 5,14-17; Mk 4,35-41)


(24.6.06. R.V.) RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 12-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë (B), sipas kalendarit liturgjik.
Pas periudhës së Kreshmëve e të Pashkëve, që kanë ndërprer leximin e vazhdueshëm të ungjillit sipas Markut, me këtë diele vijon përsëri tregimi sipas ungjilltarit të dytë, Markut, me ngjarjen e stuhisë së detit, të qetësuar nga Jezusi që ishte në varkë me apostuj.
Apostujt në atë rast kanë përjetuar fuqinë hyjnore të Jezu Krishtit ndaj detit me dallgë, ndaj detit të stuhishëm( Ungjilli Mk 4,35-41).
Dhe është po e njëjta fuqi të cilën Jobi e ka njohur në YHWH (Jahuen) Zotin, i vetmi i aftë t’i sundojë e mposht fuqitë e kaosit të parë të krijimit, i vet mi që sundon mbi forcat kozmike. Jobi në dëshprim të vuajtës lutët, kërkon përgjigje nga Zoti. Merrë vetëm një heshtje të tmerrshme, tronditëse. E vetëm kur i këputur, zemërplasur hesht, më në fund i dëgjon fjalët e Zotit. E njeh dhe kupton se si Ai, Zoti, sundon mbi të keqën. “Këtu le të thehen valët tua krenare!” thotë Zoti – sikur do të dëgjojmë në leximin e parë biblik të kësaj së diele. (Jb 38,1.8-11).
Shën Pali, më fjalë pak sa abstrakte për ne, flet për risitë, flet për të rejat e jetës që Krishti ka sjell me vdekjen e ngjalljen e tij. Për ta shndërruar jetën nga gjarja e ngjalljes së Krishtit, thotë ai, duhet të dalim nga egoizmi ynë e ti trajtojmë njerëzit në mënyrë pozitive, njerëzore, kristiane. (2 Kor 5,14-17).
Koha kur Marku tregon për mrekullinë e stuhisë së shuar nga Jezusi, të krishterët e parë tashmë i janë nënshtruar perndjekeve të përgjakshme për shkak të fesë, besimit të tyre në Krishtin. Historia vijon e njeriu fe pak është përherë në mëshirë të fatit, njeriu fe pak përherë është në dorë të erave e të stuhive të tmerrshme, mirëpo Krishti nuk fle! Ne nuk jemi kurrë të vetëm e të braktisur.
Zoti është fjetur. Po, nganjëherë, kur gjërat e punët shkojnë keq, e mendojmë edhe ne: dhuna e korrupsioni në botën që na rrethon, sëmundjet, sprovat, tundimet në jetën e përditshme, bëjnë të dyshojmë e të mendojmë se Zoti rri fjetur. Nganjëherë shpërthen studia. Jemi gati gati për t’u fundosur. Mirëpo Krishti – thotë Ungjilli i kësaj së diele –se është i pranishëm kudoherë! Ai mund t’i urdhëroj e komandoj erës e detit. Pse të kemi frik? Pse të jemi pa fe? Pse mos të besojmë? Deti përbledhët simbolikisht tërë të keqën që Jezu Krishti ka ardhur për ta luftuar, për ta çrrënjosur e fituar.
Jezusi nuk na siguron kundër rreziqeve të udhës, nuk na garanton “stabilitetin e bukurinë “. Na kërkon një vend, e mjaft. Caku i udhëtimit tonë është Ai, Zoti, të qenurit me Të.
E tani ti dëgjojmë së bashku leximet biblike të dielës së 12 gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, pra, ta dëgjojmë porosinë e Fjalës së Zotit.


Leximet biblike dhe ungjilli nga Leksionari liturgjik

 
Pasi dëgjuam nga leximet biblike, dëgjues të nderuar, po vijojmë me reflektimin tonë duke thënë se edhe neve sot, Krishti Zot sikur u pati thënë Apostujve kah mbarimi i ditës, derisa binte muzgu, na thotë : “Të kalojmë në anën tjetër të bregut!” . “Ai duke u zgjuar i urdhëroi erës dhe i tha detit: Shuaj, qetësohu. Era pushoi e u bë fashë e madhe. Pastaj u tha atyre: Pse jeni frikacakë? Po a nuk keni fe (besim)?” Eshtë personalisht Krishti Zot që, në një moment të caktuar, për ne të papërshtatshëm e të vështirë, e shtyen jetën tonë në thellësi, në det, simbol të kësaj bote, të pasigurisë e të çdo rreziku serioz. Pra, ajo lundër (varkë), jemi pikërisht ne të kërcënuar nga çdo anë e nga çdo lloj tundimi, nga sprovat e jetës, nga dhimbjet e mundimeve që na shkundin deri në thellësinë më intime të ekzistencës. E mu në atë moment do të shihet nëse e kemi përballuar jetën, nëse jemi nisur udhës së lundrimit të vetëm apo nëse kemi vepruar edhe ne si aApostujt që ‘e morën Jezusin me vete në varkë’. Stuhia që përfshin jetën e çdo njeriu është shumë e fuqishme dhe serioze e mjafton të shikojmë përrethë nesh për të pa e vërtetuar realitetin e hidhur. Sa kurora martesha janë thyer, sa familje janë shkatërruar e kanë përfunduar, sa jetë të të rinjësh kanë shkuar damë e kotë, sa dëshprime e britma dhimbjesh të atyre që e kanë përballuar jetën, pa Zot, të atyre që kanë jetuar sikur Zoti të mos ekzistonte; Krishti ka qenë e shpesh është ende sot i përjashtuar prej shumë varkash (lundrash).
Pra, ka ardhur çasti, ta kuptojmë psehin e fjalëve që Krishti u pati thënë Apostujve e të cilat sot ia drejton çdo njërit prej nesh: “Të kalojmë në anën tjetër të bregut!” Na i thotë këto fjalë për të na përkujtuar të mos harrojmë ta marrim me vete gjatë udhës së jetës sonë të përditshme e kështu edhe ne një ditë të të mund tu kalxojmë atyre janë duke filluar me përballimin e detit: “Më rrethuan valët e vdekjes, më tmerruan përrenjtë e furishëm; më lidhën leqet e Nëntokës, më shtrëngonin prangat e vdekjes. Në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, Zotit iu luta” (Ps 17(18) 5-7). Ai më shpëtoi, jetën ma përtërini dhe më liroj prej ngushticave të jetës.
Ungjilli i kësaj së diele, dëgjues të nderuar, na thërret të mbështetemi përherë, plotësisht vetëm e vetëm në fuqinë e Zotit. Të jetojmë në të Vërtetën e për të Vërtetën e Tij Hyjnore, të veprojmë, të dashurojmë, të vdesim për jetuar përjetësisht. Këte, sot më 24 qershor na tregon më së miri shembulli i Shën Gjon Pagëzuesit, festën e ditëlindjes të të cilin Kisha sot e kremtoi.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.