2006-06-23 17:35:38

Ligji ungjillor i dashurisë për t’iu kundërvënë devijimeve shoqërore të shekullarizmit: ipeshkvijve baltikë Benedikti XVI u kërkon të mbrojnë familjen e të rinjtë


(23.6.2006 R.V.)Modernizmi që e shkëput jetën nga vlerat e vërteta njerëzore është i paracaktuar ta flakë njeriun në rrugë pa krye. Përgjigjen e vërtetë për rrugën e jetës njeriu mund ta gjejë vetëm tek Ungjilli, që ka në themel ligjin e dashurisë. Këto dy mendime të kundërta ishin në qëndër të analizës së Benediktit XVI mbi situatën aktuale në Estoni, Lituani e Letoni. Papa u foli ipeshkvijve të tri republikave baltike, duke i pritur sot në audiencë, në përfundim të vizitës së tyre “ad Limina.
Objektivat kryesore për të tre vendet janë familja dhe të rinjtë, është rrënjosja e fesë si në vatrën familjare, ashtu edhe në shpirtin e të rinjëve. Kështu mund të mjekohen jo vetëm plagët e thella të hapura nga komunizmi, por edhe ato që po hap shekullarizmi, duke u propozuar mirazhet e rreme atyre që formojnë sot e do formojnë edhe nesër, shoqëritë baltike. Benedikti XVI përcaktoi qartë detyrat parësore të ipeshkvijve në të tre kombet verievropiane të cilat, në harkun e 1991-shit i dhanë fund sundimit sovjetik për të hyrë, vitin e kaluar, në Bashkimin Evropian. Toka paqësore, i quajti Papa në fillim të fjalimit të Tij – të impenjuara për të realizuar sa më mirë kalimin nga e vjetra në të renë, në të cilën nuk mungojnë rreziqet. “Lidhjet bashkëshortore të brishta; plaga e abortit; kriza demografike, por edhe mungesa e vendeve të punës si dhe dobësimi i lidhjeve ndërmjet breznive – janë disa nga tiparet e skenës, në të cilën zhvillon veprimtarinë e vet Kisha vendase e cila – siç theksoi Benedikti XVI – është e thirrur për një veprimtari gjithnjë më bindëse, guximtare e të palodhur, për t’iu kundërvënë devijimeve që kërcënojnë, mbi të gjitha, familjen:
Një modernizëm që nuk rrënjoset në vlerat e vërteta njerëzore, është i paracaktuar të sundohet nga tirania dhe paqëndrueshmeria, duke e çuar njeriun në rrugë pa krye. Prandaj çdo bashkësi kishtare, e pasur me fenë e vet dhe e mbështetur në hirin e Hyjit, është e thirrur të jetë pikë referimi dhe të dialogojë me shoqërinë në të cilën bën pjesë”.
Në të kundërtën, vërejti Papa:
Kisha, mësuese jete, i nxjerr nga ligji natyror dhe nga Fjala e Zotit parimet që tregojnë bazat e drejta për të ndërtuar familjen sipas planit të Krijuesit. Të dashur e të nderuar vëllezër, të jeni gjithnjë mbrojtës të palodhur dhe të guximshëm të jetës e të familjes!”
Ipeshkvijtë lituanë – vijoi Benedikti XVI – duhet të mos ngurrojnë t’ia propozojnë haptazi rinisë idealin ungjillor dhe bukurinë e ecjes në gjurmët e Krishtit, pa bërë asnjë kompromis. Po kështu, me nderim e dashuri atërore, duhet të vlerësojnë edhe veprimtarinë e meshtarëve si dhe të kujdesen për thirrjet e reja në rrugën e meshtarisë, duke organizuar një veprimtari baritore të vëmendshme, që qëndron mbi mendësinë e re të shekullarizuar e edhe mbi atë të dimrit të ashpër të persekutimit.
“Ndërsa nuk janë shëruar ende plotësisht plagët që u hapi komunizmi popullsive tuaja, vijon të rritet ndikimi i një shekullarizmi që i thur lavdi mirazheve të konsumizmit. Gjithë kjo e bën edhe më të vështirë veprimtarinë tuaj baritore, por ju, pa e humbur besimin, vijoni pa u lodhur kumtimin e Ungjillit të Krishtit, të fjalës së shëlbimit për njerëzit e të gjitha kohërave e të gjitha kulturave. Ungjilli nuk e cënon lirinë e njeriut, as progresin e vërtetë shoqëror; përkundrazi, e ndihmon njeriun të realizohet plotësisht e përtrin edhe shoqërinë, përmes ligjit të ëmbël e kërkues të dashurisë”.
   







All the contents on this site are copyrighted ©.