2006-06-22 17:00:51

Papa emëron kardinalin Tarçizio Bertone sekretar të ri të Shtetit. Zevendëson kardinalin Sodano që do të mbetet në detyrë deri më 15 shtator


(22.6.2006 R.V.)Benedikti XVI emëroi Sekretar të ri të Shtetit, Kardinalin Tarçizio Bertone: do të zevendësojë, më 15 shtatorin e ardhshëm, kardinalin Angjelo Sodano, i cili e kreu për 15 vjet me radhë këtë detyrë të rëndësishme në shërbim të Selisë së Shenjtë.
Ndërsa Imzot Gjovani Lajolo do të zevendësojë, në të njëjtën datë, Kardinalin Edmund Kazimir Shoka si kryetar i Komisionit Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit dhe Kryetar i Governatoratit.
Ati i Shenjtë pranoi, sipas nenit 354 të Kodit të së Drejtës Kanonike, dorëheqjen e Hirësisë së Tij, Kardinalit Angjelo Sodano, Sekretar i Shtetit, por i kërkoi të mbetet në krye të detyrës deri më 15 shtator 2006, me të gjitha kompetencat që kanë të bëjnë me këtë zyrë.
Në këtë datë, pra më 15 shtatorin e ardhshëm, Ati i Shenjtë do të emërojë Kardinalin Tarçizio Bertone, Kryeipeshkëv i Gjenovës, sekretar të ri të Sekretarisë së Shtetit.
Me këtë rast, Shenjtëria e Tij do të presë në audiencë eprorët dhe zyrtarët e Sekretarisë së Shtetit, për ta falënderuar publikisht kardinalin Angjelo Sodano për shërbimin e tij të gjatë e fisnik ndaj Selisë së Shenjtë si dhe për të paraqitur Sekretarin e ri të Shtetit.
Ndërkaq Kardinali Angjelo Sodano, Sekretar i Shtetit të Vatikanit ka dhënë këtë Deklaratë:
Gazetarë të ndryshëm më kanë kërkuar këto ditë një intervistë lidhur me verpimtarinë time në shërbim të Selisë së Shenjtë. Do t’i përgjigjem kërkesës së tyre vjeshtën e ardhshme, pasi të kem përfunduar shërbimin tim në Sekretarinë e Shtetit. Tani për tani i falënderoj të gjithë për interesimin me të cilin e ndjekin veprimtarinë e Atit të Shenjtë dhe të bashkëpunëtorëve të tij, ashtu si dhe të Kishës katolike në mbarë botën.
Sot dëshiroj vetëm t’i shpreh mirënjohjen Atit të Shenjtë Benediktit XVI që, pavarësisht nga fakti se kisha mbushur moshën për të dalë pension, ma besoi përsëri atë detyrë, të cilën ma kishte ngarkuar i ndjeri Papa Gjon Pali II, duke më thirrur në krye të kësaj zyre 15 vjet më parë.
Që tani i bëj urimet më vëllazërore Pasardhësit tim, Kardinalit Tarçizio Bertone, me të cilin prej kohe më lidh një miqësi plot nderim.
Shpresoj, pastaj, të gjej mënyrën në të ardhmen, për t’u folur miqëve dhe gazetarëve për punën e zhvilluar këto vite nga Sekretaria e Shtetit dhe nga zyrat e ndryshme të Kuries Romake. Është një punë metodike dhe e thellë, një punë ‘skuadre’, me frymë shërbimi, për të cilën kam ndër mend të jap dëshminë time plot mirënjohje.
Benedikti XVI emëron Imzot Lajolon Kryetar të Komisionit për Qytet-Shtetin e Vatikanit.
Ati i Shenjtë pranoi, sipas Nenit 354 të Kodit të së Drejtës Kanonike, dorëheqjen e Hirësisë së Tij, kardinalit Edmund Kazimir Shoka, kryetar i Komisionit Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit dhe i Governatoratit të të njëjtit shtet, por i kërkoi të mbetet në krye të detyrës deri më 15 shtator 2006, me të gjitha kompetencat që kanë të bëjnë me këtë zyrë.
Në këtë datë, më 15 shtatorin e ardhshëm, Ati i Shenjtë do të emërojë Shkëlqesinë e Tij Imzot Gjovani Lajolo, Kryeipeshkëv titullar i Çezarianës e Sekretar i Seksionit për marrëdhëniet me Shtetet pranë Sekretarisë së Shtetit, kryetar i ri i Komisionit Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit dhe Kryetar i Governatorarit të të njëjtit shtet.
Po ju njohim shkurtimisht me jetëshkrimin e të emëruarve të rinj:
Kardinali Bertone, 71 vjeç, lindi në Romano Kanaveze, në provinçën e Torinos, dioqezë e Ivresë, më 2 dhjetor 1934. Ishte i pesti ndër tetë fëmijët që u fali Zoti prindërve të tij. Zgjodhi që në vegjëli rrugën e jetës rregulltare ndër salezianë. Kreu studimet e mesme në Torino, në oratorin e Valdokos dhe më 1950 bëri kushtet e përjetshme rregulltare, duke u shuguruar meshtar në moshën 25 vjeçare. Më pas kreu studimet teologjike në Fakultetin Teologjik Salezian të Torinos dhe në fakultetin Salezian të Romës, ku mori titullin Doktor i së Drejtës Kanonike. Më 1967 u thirr në Romë për të marrë në dorëzim Katedrën e Teologjisë së Posaçme Morale pranë shkollës së lartë Saleziane, që më pas u bë universitet. Dha mësimin e së “Drejtës Publike Kishtare”, të së “Drejtës Ndërkombëtare” dhe të së “Drejtës për të miturit” si dhe “Ligjshmërinë e Organizatës katekistike e të Baritorisë me të rinjtë”.
Ka qenë edhe Drejtor i Teologëve (1974-1976) e më pas, në Romë, bashkëpunoi me disa famulli, duke dhënë kontribut edhe për promovimin e laikëve. Më 1989 u zgjodh Rektor i Madh i Univertsitetit Salezian, ndërsa më 1 gusht 1991 Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv të Verçelit. Më 1993 u thirr të drejtonte Komisionin e Konferencës Ipeshkvnore Italiane “Drejtësi e paqe”. Më pas, më 13 qershor 1995 Gjon Pali II e emëroi sekretar të Kongregatës për Doktrinën e Fesë: u bë kështu, krahu i djathtë i kardinalit të atëhershëm Racinger. Atij ia besoi Papa Vojtila detyrën të kujdesej për publikimin e pjesës së tretë të të fshehtës së Fatimës. Më 2002 u bë kryeipeshkëv i Gjenovës: një vit më pas Gjon Pali II e krijoi kardinal.
Imzot Lajolo, edhe ai piemontez, lindi në Novara më 3 janar 1935, u shugurua meshtar më 1960 e ipeshkëv, më 1989.Kështu Kardinali Bertone rikthehet për të punuar përkrah Papës Jozef Racinger me të cilin bashkëpunoi ngushtësisht për shtatë vjet me radhë në Kongregatën për Doktrinën e Fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.