2006-06-22 17:01:07

Nesër, në solemnitetin e Zemrës së Krishtit, kremtohet Dita e shenjtërimit të klerit


(22.6.2006 R.V.)Me solemnitetin e Zemrës së Shuguruar të Jezu Krishtit, që sivjet bie nesër, prej disa vitesh përkon edhe Dita e shenjtërimit për klerin. Folëm për këtë me Sekretarin e Kongregatës për Klerin, kryeipeshkvin Ksaba Ternijak:
Pyetje: - Shkëlqesi, pyetja e parë logjike, pse është themeluar kjo Ditë?
Përgjigje: - Kjo nismë e ka zanafillën në vitin 1995, kur Ati i Shenjtë, duke pranuar një propozim të Kongregatës për Klerin, caktoi datën vjetore të Ditës së Shenjtërimit për Klerin. Që atëherë kjo Ditë kremtohet në solemnitetin e Zemrës së Krishtit ose në ndonjë datë tjetër të rëndësishme, sipas mundësive ose traditave vendase. Shenjtërimi është një kërkesë që ndjehet në mënyrë të veçantë jo vetëm nga meshtari, por edhe nga besimtarët, të cilët në meshtarin duan të shikojnë mikun e tyre e njeriun e Zotit. Prandaj duhet të lutemi për shenjtërimin e atij që, si një Krisht tjetër, është i thirrur të jetë model e mësues i shenjtërisë për besimtarët. E kjo ditë u krijon bashkësive mundësitë të luten edhe për thirrjet meshtarake, duke i kërkuar Zotërisë të të korrave të dërgojë punëtorë në arë të vet”. Për këtë qellim Kongregata për Klerin çdo vit propozon një temë reflektimi, duke përgatitur edhe një material ndihmës.
Pyetje: - Shkëlqesi, cila është tema e sivjetme?
Përgjigje: - Këtë vit Kongregata për Klerin ka zgjedhur tekstin e homelisë që Ati i Shenjtë, Benedikti XVI e mbajti të Enjten e Madhe, e para papnisë së tij, në Meshën e Bagmit, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Kongregata ua ka dërguar këtë homeli të gjithë ipeshkvijve. Përveç kësaj, tekstin ua kemi nisur me e-mail edhe dhjetëmijë meshtarëve që janë të shkruar në kanalin e internetit www.clerus.org. Në këtë mënyrë u është krijuar mundësia të thellojnë temën e homelisë: “Nuk ju quaj më shërbëtorë, por miq”. E edhe ta shpërndajnë duke e përkthyer në gjuhë të ndryshme.
Pyetje: - Shkëlqesi, ç’kuptim ka miqësia në jetën e meshtarit?
Përgjigje: - Miqësia është e pranishme në tre drejtime në jetën tonë meshtarake: me Zotin, me sivëllezërit e me besimtarët. Mbi të gjitha ka rëndësi miqësia me Zotin, ashtu si pati për Abrahamin, që u thirr mik i Zotit. Jezusi pastaj, nuk i thërret më të tijtë shërbëtorë, por miq. Atyre nuk u fsheh asgjë, por ua zbulon të gjitha gjërat e Atit, sepse ndërmjet miqëve të vërtetë nuk ka të fshehta. Prandaj edhe motua e Ditës është “Nuk ju quaj më shërbëtorë, por miq”.
Pastaj ka shumë rëndësi edhe miqësia ndërmjet vetë meshtarëve, që duhet jetuar me gjithë forcën gjatë ushtrimit të detyrës meshtarake. Kështu meshtarët ndajnë së bashku gëzimet dhe shqetësimet në fushën e apostullimit dhe të marrëdhënieve njerëzore. Miqësitë e vërteta meshtarake janë një mjet i fuqishëm shpirtëror për ta jetuar qetësisht edhe çelibatin.
Vijnë pastaj miqësitë që lindin në fushën e apostullimit me besimtarët, që tregojnë se meshtari është gati, sipas shembullit të Jezusit, t’ua hapë zemrën të gjithëve, t’i dëgjojë e t’i ndihmojë, t’i mirëpresë e t’u prijë në jetën me Zotin. 

  







All the contents on this site are copyrighted ©.