2006-06-21 18:50:34

Perspektiva për kthimin e motrave të Nënë Terezës në Vietnam


(21.6.2006 R.V.)Ka mundësi që rregulltarët dhe rregulltaret e Nënë Terezës të kthehen përsëri në Vietnam, ku dëshirojnë të jenë të pranishëm prej shumë vitesh.
Pritet që të rifillojnë veprimtaritë e tyre shoqërore e baritore në vendin aziatik, prej nga u detyruan të largohen disa vjet më parë. Sipas AziaNjuz, kjo përspektivë u hapet pas vizitës të Eprores së Kongregatës, Motër Nirmalës, në dioqezën e Hanoit, ku u takua edhe me përfaqësues të qeverisë, që përgjigjen për politikën fetare në vend, të cilët i propozuan rregulltares të përgatisë një projekt për veprimtaritë që mendon se mund të zhvillojë Kongregata në vend. Ky projekt do t’i paraqitet më pas Komitetit për Çështjet fetare dhe Departamentit për punëtorët, invalidët dhe Çështjet shoqërore. Motër Maria Fransua Ha Thanh Tinh e Kongragtës ‘Dashuria e Jezusit’, aktive në Vietnam - duke folur për AziaNJuz, pohoi se një nëpunës i rëndësishëm shprehu mendimin se qeveria e ka ndër mend t’ua hapë rrugën motrave të Nënë Terezës dhe ta mbështesë veprimtarinë e tyre në Vietnam.
Kujtojmë se Motrat e Bamirësisë nuk kanë pasur kurrë ndonjë shtëpi të tyren në Vietnam e dëshira e tyre për të qenë të pranishme, është kundërshtuar gjithnjë nga qeveria. Në vitin 1974 ipeshkvi i asokoshëm i Saigonit, imzot Van Binh, e pati ftuar Nënë Terezën të fillonte veprimtaritë e saj baritore e shoqërore në kryedioqezën e tij. Kështu disa Vëllezër Misionarë të Dashurisë patën nisur të punonin me të gërbulurit, të varfërit, të pastrehët, të braktisurit e fëmijët pa prindër. Por në vitin 1975, me fitoren e komunistëve, rregulltarët u dëbuan së bashku me të gjithë meshtarët e murgeshat.
Gjatë udhëtimit në Vietnam, motër Nirmala deshi të prekte me dorë disa nga realitetet më dramatike në Vend, por edhe të krijonte një ide të saktë për projektet e ndihmës që po çohen përpara nga Kongregata e Dashurisë së Jezusit. Në zonën Song Than – tregon Motër Maria Fransua - ka shumë gra që kanë ardhur nga dioqezet e veriut e të qëndrës për të fituar jetesën. Për shkak të mjerimit të thellë, përfundojnë si viktima të shfrytëzimit seksual. U shkatërrohet jeta e, prej këndej, kanë nevojë për ndihmë psikologjike e shpirtërore. Prandaj – pohon rregulltarja – në se qeveria është vërtetë e interesuar për çështjet shoqërore, mund t’i japë një ndihmë serioze popullisë së vet, po t’i lejojë rregulltaret e rregulltarët të zhvillojnë veprimtari shoqërore.
Motrat e Nënë Terezës aktualisht kanë shtëpi misionare në 120 vende të botës, duke përfshirë të gjitha vendet ish-komuniste, që nga ish-Bashkimi Sovjetik, tek Shqipëria e Kuba.







All the contents on this site are copyrighted ©.